E ardhmja e Pogba, Skanavino e Deshamp e “zyrtarizojnë”

A do të jetë e ardhmja e Pol Pogba te Juventusi? Për momentin të gjitha indicet tregojnë se mesfushori francez nuk do të jetë më pjesë e “Zonjës së Vjetër”. Pas lajmit të publikuar nga gazetari i njohur Fabricio Romano, kanë ardhur edhe njoftime të rëndësishme nga Administratori i deleguar i Juves, Mauricio Skanavino, dhe trajneri i Francës, Didie Deshamp.

Skanavino foli në një intervistë për mediat ku u shpreh se është duke punuar me agjentët e Pogbasë për të gjetur rrugën e duhur për të dyja palët. Një deklaratë që duket më shumë si një lamtumirë sesa një rikthim i francezit me fanellën e “Zonjës”.

SKANAVINO- “Jam duke folur me agjentët e lojtarit. Pogba është një futbollist i madh dhe që mund të luajë ende për një kohë të gjatë. Megjithatë, janë dy vite ku ai nuk ka luajtur futboll, mes dëmtimeve dhe skualifikimit, që e kanë mbajtur atë larg fushave. Është një kohë e gjatë pa luajtur. Ne do të vlerësojmë të gjitha elementët për të parë më pas se çfarë do të ndodhë, por mund të konfirmoj se jemi duke folur me stafin e tij”, tha Kanavino që më shumë i dha një lamtumirë francezit duke i prerë shpresat për një qëndrim te Juventusi.

DESHAMP- Të njëjtën gjë duket se ka konfirmuar edhe Deshamp nga ana tjetër për Pogbanë, që edhe pse foli me një gjuhë diplomatike, nënkuptoi se francezi nuk do të jetë më pjesë e Juves. “Jam shumë i lumtur për Pogbanë. Sigurisht që ka ende disa muaj përpara se të kthehet pasi dënimi u reduktua në 18 muaj. Është një lehtësim duke parë se dënimi i parë ishte 4 vite. Ka një dritë që nga jep optimizëm dhe ndjesi të mira. Megjithatë, në raport me klubin aktual Juventusin, që momentalisht ka kartonin e Pogbasë, ka ende shumë gjëra që duhen folur. Do të ketë diskutime për të parë se kush do të jetë versioni përfundimtar për mesfushorin. Rëndësi ka që Pogba nga marsi e di shumë mirë që do të rikthehet të luajë futboll. Ai e dashuron futbollin. Unë kam folur me të dhe është i lumtur”, tha ndër të tjera Deshamp.

Dy deklarata këto që tregojnë se Pogba me shumë gjasë nuk do të jetë pjesë e Juventusit, ndërsa e ardhmja e tij mund të jetë në SHBA.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top