Ish-futbollisti i Premier Leagues, George Baldock “me shumë gjasa” është mbytur në pishinën e shtëpisë së tij në jug të Athinës, thonë autoritetet greke.
Policia që ka hetuar vdekjen e ish-mbrojtësit të Sheffield Unitedit dhe Greqisë, ka thënë se nuk ka asnjë sugjerim për ndonjë krim, “të paktën në këtë fazë të hetimit”.
Familja e Baldockut shkroi në një deklaratë: “Ne mund të konfirmojmë se një ekzaminim pas vdekjes ka gjetur se Goerge u mbyt tragjikisht ndërsa po notonte në pishinën e shtëpisë së tij në Glyfada, Athinë”.
Mjeku i caktuar nga shteti, që kreu ekzaminimin fillestar të trupit të Baldockut në shtëpi, nuk raportoi shenja mavijosjeje ose plagë të tjera.
Por ishte e paqartë nëse 31-vjeçari ishte vetëm ose nëse vdekja e tij ishte shkaktuar nga “kolapsi i papritur”, shkruan The Guardian.
Mbrojtësi i krahut, që ishte i lindur në Angli, por kishte prejardhje nga Greqia, firmosi me Panathinaikosin në verë.
“Ai u gjet i pajetë në fund të pishinës dhe u shpall i vdekur në orën 22:38, të mërkurën mbrëma”, tha një burim policor për The Guardian. “Të gjitha provat, deri më tani, tregojnë për mbytje të tij në ujë”.
Gjetjet fillestare u mbështetet nga rezultatet e një ekspertize të bërë të enjten në morgun e spitalit universitar në Athinë.
Besohet se futbollisti kishte vdekur katër deri në pesë orë para se trupi i tij të zbulohej.