Thomas Tuchel, ish-trajneri i PSG, Chelsea, Bayern dhe Borussia Dortmund, është në bisedime të avancuara për t’u bërë trajner i Anglisë.
Kështu ka thënë kanali gjerman Welt TV në një artikull të raportuar nga gazeta L’Équipe. Pas Sven-Göran Eriksson dhe Fabio Capello, Thomas Tuchel, 51 vjeç, mund të bëhet trajneri i tretë i huaj që drejton Anglinë.
Sipas Welt TV, marrëveshja mes Tuchel dhe FA është shumë afër. Pas largimit të Gareth Southgate, kombëtarja e “3 Luanëve” iu besua në mënyrë të përkohshme Lee Carsley.
Pas humbjes së Anglisë në Wembley në Ligën e Kombeve kundër Greqisë të enjten e kaluar Carsley tha se “kanë ende tre ndeshje dhe shpresoj të kthehem për të drejtuar U-21”. FA i dha Carsley përgjegjësinë për Anglinë në ndeshjet e shtatorit, tetorit dhe nëntorit. Filluan shumë mirë, me fitore ndaj Irlandës (0-2) dhe Finlandës (2-0), por më pas humbën ndaj Greqisë.