Ardian Ismajli prej ditësh ka përfunduar në “radarin” e Juventusit, me “Zonjën e Vjetër” që e shikon shqiptarin si të duhurin për të zëvendësuar Gleison Bremer të dëmtuar. Madje sipas mediave italiane mbrëmjen e djeshme në “Epet Arena” në Pragë ka patur skaut që kanë ndjekur nga afër liderin e prapavijës.
Në lidhje e këto zëra ka dhënë një intervistë ish-trajneri i Kombëtares shqiptare, Christian Panucci. Italiani ka theksuar se si e zbuloi Ismajlinm kur asnjë nga Federata nuk e njihte. Ndër të tjera bën të ditur se si e bindi mbrojtësin të veshë fanellën kuqezi dhe të përfaqësojë Shqipërinë.
“E njoh mirë Ismajlin prej shumë vitesh, ai është bërë një nga mbrojtësit më të mirë në Serie A dhe është një djalë i jashtëzakonshëm. Mendoj se ai është gati të bëjë hapin drejt një klubi të madh. Nuk më habit aspak që Juventusi po e ndjek. Do të ishte një shtesë shumë e dobishme për bardhezinjtë. Ardiani e meriton një shans të tillë.
Si e zbuluat Ismajlin? Po flas për herë të parë dhe jam shumë i lumtur që e bëj këtë. Në vitin 2018 isha trajner i kombëtares shqiptare dhe shkova nëpër Europë në kërkim të lojtarëve të rinj për të thirrur. Unë bëja skautizëm të dorës së parë dhe e pashë në Kroaci, ku Ardiani luante për Hajdukun e Splitit. Më goditi menjëherë. Kështu që unë mora hapa për të biseduar me të dhe për ta bindur që të zgjidhte Shqipërinë, duke qenë se Ismajli ishte tashmë në kombëtaren e Kosovës.
Ai e pranoi kombëtaren shqiptare për mua dhe për atë që kisha bërë për ta bindur. Ishte njeri i fjalës! Kosova nuk donte ta humbiste, por Ardiani e mbajti premtimin që më dha. Askush nuk e njihte brenda federatës shqiptare, herën e parë që e thirra, as që e dinin se kush ishte. Po të mos kishte qenë Panuçi, Ismajli nuk do të vinte kurrë të luante për Shqipërinë…”, ka theksuar ish-timonieri i Kombëtares për “Tuttosport”.
Kujtojmë se Ismajli këtë sezon po bën paraqitje fantastike me Empolin, ku thuajse javë pas jave është në formacionin më të mirë në Serie A. Gjithashtu vlen të theksohet se kontrata aktuale e mbrojtësit me Empolin i përfundon në qershor të vitit të ardhshëm dhe Juventusi po punon për ofertën që do t’i paraqesë klubit për të siguruar shërbimet e Ismajlit që në merkaton e janarit.