Ardian Ismajli është kthyer në ditët e fundit në një protagonist të merkatos në futbollin italian. Paraqitjet e tij me skuadrën e Empolit, kanë bërë që shumë klube të mëdha të kthejnë sytë nga mbrojtësi i Kombëtares shqiptare, i cili po kalon një moment të shkëlqyer të karrierës.
Më së fundmi, në listë është shtuar edhe Juventusi, i cili raportohet se po monitoron atë si zëvendësuesin perfekt për Bremer të dëmtuar. Një situatë që lehtësohet nga fakti se Ismajli është në vitin e fundit të kontratës së tij me Empolin. Marrëveshja e futbollistit përfundon në qershorin e këtij viti dhe largimi i tij do të ishte shumë më i thjeshtë.
Në këtë pikë, mediat italiane raportojnë se Empoli do të kërkojë menjëherë rinovimin e marrëveshjes që ka me futbollistin, duke e zgjatur atë. Në këtë mënyrë mund të përfitojë ekonomikisht shifra më të larta nëse Juventusi apo ndonjë klub tjetër do të trokasë në dyert e këtij klubi në janar për të transferuar mbrojtësin shqiptar.