Rrugëtimi i Kombëtares shqiptare: Nga ndeshja kundër një ushtrie deri te arenat e mëdha botërore

Kombëtarja shqiptare e futbollit luajti të premten kundër Çekisë në kuadër të Ligës së Kombeve. Ndeshja përfundoi me rezultat 2:0, për Çekinë. Kjo ishte ndeshja më e fundit ndërkombëtare, në kuadër të turneve të ndryshme, ndërsa e para e dokumentuar në Shqipëri daton nga viti 1913.

Ajo nuk ishte një ndeshje mes dy skuadrave, por mes ekipit të Shkodrës atëkohë, që quhej “Indipendenca”, dhe ushtrisë austriake.

Kjo është, po ashtu, një prej shumë të dhënave dhe dokumenteve e objekteve me rëndësi, që flasin për zanafillën e kësaj loje kaq popullore në Shqipëri.

Të gjitha gjenden në Muzeun e Futbollit në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) në Tiranë.

Muzeu u hap në vitin 2011, por, prej dy vjetësh, është i hapur për vizitorët që duan të njihen me historinë e futbollit.

Prifti anglez zëvendësoi topin prej lecke me top të vërtetë

Sipas të dhënave të grumbulluara nga Federata Shqiptare e Futbollit, historia e futbollit i ka fillimet e saj në dekadën e parë të shekullit XX.

Vitet 1905-1908 thuhet se u përshkuan me përpjekjet e “djemënisë” shkodrane për të shijuar dhe provuar lojën e re, që në atë kohë njihej si “topkëmbë”.

Topi ishte prej leckash të trasha dhe ruante formën e rrumbullakët.

Më 1908, pastaj, Kolegjin Saveran në Shkodër e vizitoi një prift anglez, i quajtur John Ruter, i cili solli me vete një top dhe disa rregulla bazike, që u bënë pikënisje për zhvillimin e mëtejshëm të lojës së futbollit.

Pamela Ndocaj, specialiste e marrëdhënieve me publikun në Federatën Shqiptare të Futbollit, tregon për Radion Evropa e Lirë se të gjitha këto janë të dhëna të mbledhura gojarisht, ndërsa dëshmia e parë është një fotografi e ndeshjes së “Indipendencës” me ekipin e ushtrisë austriake, që ndodhej në Shkodër.

“Kemi fotografinë që e zyrtarizon këtë ndeshje, që u luajt me kohë të plotë, me rregulla loje, me gjyqtarë dhe me topin e vërtetë që e solli prifti anglez”, tregon Ndocaj.

“Më pas, më 1919, kemi bashkimin e disa shoqërive, nëpërmjet të cilave u themelua shoqëria ‘Vllaznia’. Ky moment njihet në historinë e futbollit si pikënisje e formimit edhe të shoqërive të tjera në Shqipëri. Efektet e formimit të tyre filluan të ndiheshin në Tiranë, Elbasan, Durrës, Vlorë, Korçë etj.”, shpjegon Ndocaj.

Ajo shton se në atë kohë u luajtën disa ndeshje ndërkombëtare me ekipe si “Cernagora”, “Cetinja”, “Podgorica” etj., që për nga emrat duket se vinin nga Mali i Zi.

Në Muzeun e Futbollit në Tiranë gjenden edhe dëshmi të tjera, siç është dekreti mbretëror i 6 qershorit të vitit 1930, për krijimin e Federatës Sportive, ku Federata e Futbollit ishte e para.

Gjithashtu, gjendet dokumenti i Kongresit të Federatës Botërore të Futbollit – FIFA, që u mbajt në maj të vitit 1932 në Stokholm të Suedisë, ku Shqipëria u pranua me të drejta të plota në FIFA, si dhe dokumenti i pranimit të Shqipërisë në UEFA – Federatën Evropiane të Futbollit – si anëtare themeluese në vitin 1954.

Objektet e veçanta në muze 

Specialistja e FSHF-së, Ndocaj, thotë se kultura e ruajtjes së objekteve historike në Shqipëri është pak e kultivuar. Megjithatë, në këtë muze ka disa objekte me vlerë. “Mund të përmendim disa, si topat origjinalë të viteve ‘30, ‘40, ‘50, këpucë origjinale, madje edhe ato të prodhuara në Shqipëri nga Ndërmarrja e Mjeteve Mësimore. Pastaj, medalje origjinale të fituara nga ekipi ‘Shpresa’ si kampion i Ballkanit në vitin 1978 dhe më pas më 1981…”, tregon Ndocaj.

“Në muze kemi këpucët origjinale të golashënuesit më të mirë të kombëtares, Erion Bogdani, me 18 gola. Po ashtu të Alban Bushit, që është golashënuesi i dytë më i mirë, me 14 gola”, thotë ajo.

Përgjatë historisë së futbollit shqiptar ka edhe disa data me rëndësi, të dokumentuara me fotografi, si viti 1946, kur kombëtarja fitoi Lojërat Ballkanike, apo viti 1967 kur kombëtarja barazoi me Republikën Federale të Gjermanisë, në atë kohë nënkampione e botës.

Datat me rëndësi përfshijnë edhe fitore të tjera të kombëtares, ashtu si edhe zgjedhjen e Armand Dukës anëtar i komitetit ekzekutiv të UEFA-s në vitin 2019 dhe, pesë vjet më vonë, zëvendëspresident i këtij komiteti.

Vizita nga fëmijët deri te delegacionet e huaja

Muzeu i Futbollit vizitohet kryesisht nga delegacione të huaja, që për arsye pune e vizitojnë Federatën Shqiptare të Futbollit, si dhe grupe interesi, si skuadra futbolli dhe akademi të ndryshme futbollistike.

“Në fokusin tonë kanë qenë fëmijët, pasi janë e ardhmja e vendit, prandaj kemi mirëpritur nxënës nga shkolla dhe qendra edukimi, kryesisht gjatë verës”, thotë, po ashtu, Ndocaj.

Ajo tregon se edhe qytetarë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, zgjedhin ta vizitojnë muzeun, kur gjenden në pushime në Shqipëri.

“Por, ka ndodhur që kanë ardhur edhe turistë të huaj”, thotë ajo.

Statistika për numrin e vizitorëve thotë se nuk ka, pasi hyrja është e lirë dhe nuk ka biletë.

Rikonstruksioni i Muzeut të Futbollit, sipas saj, është një proces i vazhdueshëm, pasi historia e futbollit shqiptar vijon të shkruhet çdo ditë.

“Suksesi i fundit ishte kualifikimi në Kampionatin Evropian këtë vit dhe sigurisht që e meriton një stendë më vete. Gjithashtu, duhen përfshirë bluzat origjinale, suvenirët, flamujt e kapitenëve që këmbehen gjatë ndeshjeve”, thotë Ndocaj.

Vitin e ardhshëm, në Shqipëri organizohet Kampionati Evropian për moshat nën 17 vjeç, ndërsa Shqipëria ka aplikuar edhe për të organizuar Kampionatin Evropian për moshat nën 21 vjeç.

REL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top