Nuk mendohej aspak se kjo gjë do të ndodhte, pavarësisht tensionit në prag. Kur luhet një Serbi-Shqipëri gjithmonë ka trysni dhe shqetësim, por gjithsesi askush nuk mund ta imagjinonte se skandali do të ishte i skajshëm, i paprecedentë në histori.
Sfida eliminatore e Kampionatit Europian rastisi pak pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kreu vizitën e tij në Beograd, ndërsa nuk dihet nëse katastrofa në stadiumin e Partizanit kishte lidhje me këtë apo jo.
Edhe pse sfida nisi me shprehje ndjenjash urrejtjeje, me vërshëllimë totale të himnit shqiptar, dhe me thirrje antishqiptare, sërish mendohej se do të çohej deri në fund.
Gjithsesi, në minutën 41-të, ndërsa rezultati ishte 0-0, dhe kombëtarja shqiptare po luante mirë, një dron u ngrit mbi stadium.
Aty ishte një hartë e Shqipërisë me kufij përtej kufijve të sotëm historikë, si dhe fytyrat e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit.
Arbitri nuk arriti të reagonte, dhe aty nisi sherri, pasi flamurin e mori një lojtar serb. Futbollistët shqiptarë u turrën t’ia merrnin, dhe përleshja shpërtheu shpejt.
Aty u përfshinë edhe tifozë që hynë në fushë, ndërsa kuqezinjtë pas një përleshjeje ku spikatën Lorik Cana apo Orges Shehi, vrapuan drejt tunelit për të dalë nga fusha.
Sulmet vazhduan me sende të forta dhe shkelma, madje edhe nga roje sigurie, aq sa Alban Bushi, sot trajner i Shpresave, i pati këmbët të gjakosura.
Stadiumi u bllokua dhe askush nuk u lejua të dilte prej tij, ndërsa pati akuza se vëllai I kryeministrit Rama ishte i përfshirë në ngjarjen, për të cilën autor ishte Ismail Morina, I njohur si Ballisti.
Kombëtarja shqiptare u largua ndoshta në mesnatë, ashtu si edhe gazetarët dhe kushdo tjetër, ndërsa shqetësimi ishte tepër i madh nga ajo që mund të ndodhte nga shpërthimi I turmave të tifozëve.
Pas asaj ndeshjeje pati gjyqe sportive, me UEFA-n që fillimisht nuk bëri drejtësi, por pastaj KAS e dha fitore 3-0 në tavolinë për Shqipërinë. Më pas, kuqezinjtë arritën kualifikimin në Europian.