Kristiano Xhuntoli po përgatit terrenin që te Juventusi të afrojë një tjetër sulmues në merkaton e Janarit si zëvendësues të Dushan Vlahoviçit. Mes shumë emrave të tjerë, në skenë ka dalë edhe ai i Betos, ish-lojtarit të Udineses që aktualisht është pjesë e Evertonit. Sulmuesi portugez konsiderohet si lojtari i duhur për të zëvendësuar serbin, duke parë se e njeh mjaft mirë kampionatin italian. Kur ishte pjesë e Udinezes, Beto ka kapur gjithmonë kuotën e dyshifrave te golat e shënuar, diçka që mund t’i japë siguri “Zonjës së Vjetër”.
Megjithatë, situata aktuale nuk është më e mira për portugezin. Edhe pse kaloi një aventurë të bukur në Itali te Udineze, transferimi te Evertoni nuk ka shkuar aspak ashtu si e priste. Beto nuk po luan me Evertonin që nga shtatori dhe në këtë start sezoni, në kampionat është aktivizuar vetëm 43 minuta. Ai po sheh alternativat për të gjetur një tjetër skuadër ku mund të rikthehet në një lojtar që aktivizohet më shumë dhe Juvja duket se është gjithashtu preferenca e portugezit.
Nga ana tjetër nevoja që Juventusi ka për një zëvendësues të Dushan Vlahoviçit është e madhe. Sulmuesi serb është lojtari më i përdorur te “Zonja e Vjetër” në pamundësi për ta alternuar me një tjetër lojtar. Zëvendësuesi i vetëm është Arkadiuzh Milik i cili është i dëmtuar, por edhe nëse kthehet më herë, ai nuk jep siguri te “Zonja”.
PANORAMASPORT.AL