Shumë gjëra në jetë mund të ndryshohen, apo zëvendësohen, përveç simpatisë për një skuadër futbolli, kombëtare, klub apo lojtarë. Dhe nuk është e rrallë për një tifoz që t’i vendosë të birit të tij emrin e një ikone futbolli që ka simpatizuar.
Kështu ndodhi edhe 18 vite më parë me djaloshin e sapolindur nga prindër shqiptarë në Londër, i ati vendosi ta quaj Maldini, si legjenda kuqezi e Milanit, Paolo Maldini.
Maldini Kaçurri sot do të debutojë me fanellën kuqezi të kombëtares U21, në ndeshjen e fundit në grupe për eliminatoret e europianit ndaj Armenisë.
Në një intervistë për Top Channel, Maldini Kaçurri tregon se si fati, përpos punës e çoi brenda dy vitesh në këto nivele, pasi deri në moshën 16-vjeçare skuadrat e tij ishin mjaft të vogla për të mos thënë amatore.
“Deri në moshën 16 vjeç luaja me skuadra të vogla, më pas kalova tek Fulham dhe pas një viti tek Arsenal…”, tregon ai.
Megjithatë emri i tij, që korrespondon me mbiemrin e legjendës italiane, ka bërë shumë jehonë në ditën e debutimit më 25 shtator të këtij viti në Carabao Cup. Gjithçka lidhet me admirimin e babait të tij për Paolo Maldinin edhe pse i biri Maldini shqiptarë, ka një tjetër skuadër për zemër.
Pavarësisht kësaj, ai ka marrë edhe një urim special nga legjenda italiane në rrjetin social Instagram. Prej disa muajsh tani ai stërvitet me ekipin e parë të drejtuar nga Mikel Arteta, dhe në fundin e muajit shtator pati mundësinë për t’u aktivizuar disa minuta në ndeshjen e Carabao Cup që Arsenali fitoi me Boltonin 5-1.
Ai është lojtari i parë shqiptar në historinë e Arsenalit, pasi Xhaka, me origjinë shqiptare, zgjodhi të përfaqësojë Zvicrën dhe Skhodran Mustafi luajti për Gjermaninë. Kacurri ka 5 paraqitje për Shqipërinë U19 dhe 2 për U17.