Presidenti i nderit te Bajerni, Uli Hënes: Jemi me fat që kemi Vinsentin trajner

Presidenti i nderit te Bajern Mynih, Uli Hënes, është entuziast për Vinsent Kompani dhe e konsideron atë si zgjedhjen ideale për trajner te klubi bavarez. Në një panel diskutimi në Kështjellën Neubeuern, Hënes vështirë se mund ta përmbante entuziazmin e tij për trajnerin belg.

“Për mendimin tim, Vinsent Kompani është një fat i mirë për Bajernin dhe mund ta themi përfundimisht këtë pas javëve të fundit”, theksoi Hënes, duke e bërë të qartë se sa pozitivisht mendon ai për ndikimin e Kompanis deri më tani. Uli është veçanërisht i impresionuar nga qëndrimi profesional dhe etika e punës së trajnerit belg. “Ai e sheh futbollin si punë. Dëshiron t’i bëjë lojtarët individualë më të mirë dhe kjo është ajo për të cilën po punon”, vlerësoi 72-vjeçari.

Hënes shtoi se Kompani gjithashtu ka shumë përvojë nga karriera e tij aktive: “Kompani është dikush që ka luajtur vetë futboll në një nivel të lartë”. Presidentit të nderit i bëri përshtypje gjithashtu se sa fort stërviten lojtarët bavarezë nën drejtimin e belgut. “Ndodh ndonjëherë që ata stërviten për dy orë derisa të jenë të lodhur”. Edhe kur përballet me pyetje kritike për performancën aktuale, Uli Hënes mbetet optimist.

Ai mbrojti stilin agresiv të lojës së Kompani, edhe pas barazimit të fundit 3-3 në Frankfurt dhe e bëri të qartë se trajneri nuk ishte përgjegjës për gabimet e lojtarëve. “3:3 në Frankfurt nuk ka të bëjë fare me stilin agresiv të lojës së Vinsent Kompani, por me faktin që nuk luajtëm në mbrojtjen e rezultatit dhe mbulimin e rivalit”, komentoi ai me buzëqeshje. “Që kur Vinsent është këtu, më ka pëlqyer shumë të shkoj sërish në stadium. Ky është argëtim”, e mbylli Hënes.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top