Ekskluzive/ “Unë me Demollarin kishim 16 vite”! Sokol Kushta kritikon Silvinjon: Hiq Brojën vendos Dakun, hiq Dakun vendos Manajn, mos prisni gol nga sulmi…

Shqipëria arriti që të fitojë kundër Gjeorgjisë dhe të mbajë ende në lojë shpresat për vendin e parë në grup. Megjithatë në epokën e Silvinjos, pavarësisht disa rezultateve të mira, ajo që vihet re është mungesa e golit te qendërsulmuesi. Përse ndodh kjo, është pyeta që të gjithë shtrojnë. Një ditë Manaj, një ditë Daku, një ditë Broja dhe një ditë Tuci. I ftuar në Koha Shtesë që transmetohet në Youtube, Sokol Kushta ka treguar edhe arsyen se përse qendërsulmuesi nuk shënon në epokën e Silvinjos te Kombëtarja dhe sipas legjendës tonë, nuk duhet të presim as në të ardhmen një gol nga qendër sulmuesi. Në fakt, në një ndeshje zyrtare, goli i fundit i shënuar nga qendërsulmuesi i përket Sokol Cikalleshit nga penalltia në ndeshjen kundër Moldavisë. (Emisionin e plot e gjeni në Youtube)
?
“Unë në fillim kam qenë kundër heqjes së Cikalleshit, ishte gabim. Por nuk është se ishte i pazëvendësueshëm, e kam thënë shumë herë, të gjithë kemi luajtur futboll, të gjithë kemi dëshirë ende të luajmë, nëse nuk do të kisha këto mend që kam, do të thoja edhe unë loza akoma. Të gjithë kemi dëshirë të luajmë, por kush e zëvendësoj? Ne para Europianit nuk ishim të sigurt se kush do ta merrte vendin e Cikalleshit, disa thonin se do të luante Broja, disa të tjerë Daku apo Manaj. Dhe kush luajti? Të gjithë, gjëja më e keqe që mund të ndodh, që të luajnë të gjithë nga pak.  Unë në idenë time si trajner mendoj se ekipi ka një bosht të paprekshëm, portieri, qendërmbrojtës, mesfushor qendre dhe qendër sulmues, kjo është linja e paprekshme, pastaj të tjerat janë zbukurimet që t’i i jep dhe i mbush. Të më thotë dikush, cfarë sulmuesi stabël ka Shqipëria? Luajtën të gjithë, luajti edhe Broja në Europian, edhe Daku, edhe Manaj.

Përse ndodh kjo? Se nuk i ke dhënë një ide ekipit, që do të luajë Broja, si e do topin Broja, si luan Broja. Se çfarë ndodh, ti fut Dakun sot, por mesfushori duhet të rakordoj, por nuk mund të rakordosh dot mendjen e Dakut me mendjen e mesfushorit me një javë, pastaj ti e ndryshon Dakun dhe fut Manajn. Unë me lojtarët që kam luajtur, me Demollarin, kisha që në 80 dhe jemi shkëputur në 96, më njihte symbyllur. Unë e dija si ikte Gega, Ledio Pano, ata e dinin si ikja unë, kjo është gjë madhore në futboll. Ti nuk mund të marrësh sikur janë kupa, hiq Brojën fut Dakun, hiq Dakun fut Manajn. Duhet të rakordohet mesfushori, duhet të kuptoj që si e do Broja topin, prandaj ekipi kishte krijuar një fizionomi me Cikalleshin. Mirë që e prishe, mirë që e hoqe, por përse nuk i beson dikujt tani? Tani futet edhe Tuci në linjë, Shqipëria ka 5 sulmuesa tani, 5 sulmues të ndryshëm, 5 stile të ndryshme, si prisni të shënohet kështu? Mos prit të rregullohen gjërat në këtë formë siç po bëhen me sulmin. A më pëlqeu Tuci? Po, më pëlqeu shumë, Zoti apo trajneri, quajeni si të doni, i dha shansin dhe ai e shfrytëzoi”, tha Sokol Kushta. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top