Napoli vijon të jetë protagonist në Serie A. Një ekip që luan vetëm në fundjavë dhe që ka më shumë mundësi të rikuperojë energji karshi rivalëve që luajnë në Europë.
Gjithsesi, për skuadrën e drejtuar nga trajneri Antonio Conte fitorja e fundit ndaj Empoli ishte e vështirë.
“Ne të gjithë donim të fitonim, por paralajmërova djemtë se do të ishte e vështirë sepse Empoli është një nga skuadrat më të mira në kampionat. Askush nuk kishte të shënuar ndonjëherë këtu këtë sezon dhe ishte një ndeshje me shumë risqe”, u shpreh Conte, që shijon vendin e parë.
“Në pjesën e dytë ndryshova diçka në planin taktik, sepse pas tre muajsh punë kemi zgjidhje të ndryshme. Ne e meritonim të kalonim në avantazh edhe nëse ndeshja ishte e ekuilibruar. Mbrojtja bëri mirë në përgjithësi. Ne po përpiqemi të ndërtojmë një bazë solide për të qenë ambicioz”, tha Conte.
“Festojmë pasi fitorja është gjithmonë e djersitur. Është kolektivi ai që bën diferencën.
Entuziazmi i tifozëve? Jemi të ndërgjegjshëm se do të vijnë momente më të vështira, në të cilat nuk do të duhet të biem në depresion. Ne duam të ndërtojmë diçka që mund të zgjasë me kalimin e kohës dhe që nuk është thjesht një blic”, u shpreh Conte.