Erik ten Hag po shijon përballjen e tij me Jose Mourinhon duke etiketuar një nga paraardhësit e tij të Mançester Junajtid si një shembull për shumë e shumë menaxherë. Junajtid shkon në Stamboll këtë javë për t’u përballur me Fenerbahçen në Ligën e Europës, duke ofruar një ribashkim të mundshëm me Murinjon, i cili mori drejtimin në klubin turk në verë pas shkarkimit të tij nga Roma.
Portugezi është një nga trajnerët më të dekoruar në histori dhe pavarësisht se u konsiderua një figurë përçarëse në “Old Trafford” gjatë mandatit të tij nga 2016-18, ai fitoi tre trofe duke përfshirë Ligën e Europës në 2017.
Pasi barazoi dy ndeshjet e para në kompeticionin e këtij sezoni, trajneri i Junajtidit, Ten Hag, e vlerësoi rëndësinë e këtij momenti dhe mezi pret të përballet kundër Murinjos të enjten. “Është një ndeshje e madhe për të dy ne”, tha Ten Hag në darkën e Shoqatës së Gazetarëve të Futbollit për akordimin e çmimeve për trajnerët më të mirë.
“Më pëlqen shumë të përballem me të dhe të luaj kundër tij. Ai ka gjithmonë skuadra të mira, ai është fitues. Ai fitoi kaq shumë trofe. Mendoj se ai është një shembull për shumë e shumë menaxherë”.
Pavarësisht se holandezi e çoi Mançesterin drejt lavdisë në Kupën FA në fund të sezonit të kaluar, Ten Hag është sërish nën vëzhgim pas një fillimi të dobët të sezonit, por holandezi e pranon se kjo vjen me faturën e drejtimit të një klubi të tillë.
“Është futboll, duhet të jetosh tani për tani”, tha ai. “Ajo që ndodhi është në të kaluarën, ju duhet të provoni veten çdo ditë, duhet të provoni veten çdo sezon, kështu që ne duhet të shkojmë drejt saj.
Ne jemi në fillim të sezonit dhe do të shohim se ku do të përfundojmë, por objektivi ynë është të fitojmë një trofe përsëri”.