Pasi është mësuar se kush do t’a zëvendësoj Gugash Maganin, trajnerin peqinas që e ka lënë Lushnjen në krizë rezultatesh dhe në nevojë “urgjente” pikësh, tani dihet dhe stafi që do ndihmojë trajnerin e ri, Erion Xhafa. Në ndeshjen e fundit kundër Vorës, e humbur në Marqinet 0-1 “timonier” ishte Mikel Spaho i cili kryen rolin e trainimit të portierëve. Spaho është një ndër emrat që do të vazhdojnë të japin kontributin në ekip. Mikeli ka qenë portier deri në moshë të vonë tek Lushnja dhe ka luajtur në qytetin lagunar përgjatë shumë viteve.
Xhafa që e njeh mjaft mirë ambientin dhe po ashtu ka veshur fanelen verdhjeshile me krenari pritet të prezantohet nga Kryetarja e Kubit, njëherazi Kryetare e Bashkisë Eriselda Sefa në kompleksin sportiv të Plugut, një fshat pranë qytetit ku ekipi zhvillon stërvitjet dhe skuadrat zyrtare të moshave ndeshjet e tyre në kampionatet e FSHF-së.
Mikel Spaho katapultohet si ndihmës i Erionit dhe jo thjesht një trajner gardianësh tashmë në udhëheqjen e re. Në stafin që do të marr fatet e klubit janë edhe Ledian Taullau dhe Besmir Shurdhi. Pra, gjithsej një staf prej 4 vetash me 1 trajner kryesor e 1 ndihmës-trajner. Mendohej se Artan Bano do të ishte pasuesi i trajnerit që “prishi” shpresat e lushnjarëve pasi ky “coach” e njeh qytetin, jeton aty dhe ka qenë i suksesshëm më para në stol duke ngjitur ekipin “Verdhjeshil” në Elitën e Futbollit Shqiptar.