Skuadra e momentit në Superiore është Flamurtari. Vlonjatët duket se këtë sezon kanë të gjitha “kartat” në rregull për t’u rikthyer në elitë.
Kuqezinjtë me në krye Andrea Agostinellin po shkëlqejnë në Kategorinë e Parë dhe pas 8 javësh kryesojnë kampionatin me 21 pikë. 7 fitoret rresht kanë bërë që në Vlorë tashmë rikthimi në Superiore të mos jetë më një “utopi”, por të jetë një realitet.
Flamurtari kujtojmë se ka 5 vite mungesë, një skuadër me histori në futbollin shqiptar që prej disa sezonesh i ka munguar Superiores. Lojë e kujdesshme në mesfushë dhe mbrojtje ka bërë që skuadra të shpërthejë në sulm, ku të fitojë me goleadë dhe të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo rivali.
E vetmja skuadër që ka arritur t’i mposhtë këtë sezon është Burreli, me matjanët që fituan 2-1 në sfidën e parë të Kategorisë së Parë dhe që nga ajo humbje në Vlorë nuk e njohin më as barazimin.
Kampionati është shumë i gjatë dhe mbetet të shihet nëse “këmbët” do t’i mbajnë në këtë formë vlonjatët deri në fund apo gjatë rrugës do t’i kapë edhe “syri i keq”.