Puna e madhe që Hansi Flik ka bërë në muajt e tij të parë si trajner i Barcelonës nuk ka kaluar pa u vënë re. Trajneri gjerman është vlerësuar nga një person që e njeh në mënyrë të përsosur futbollin spanjoll dhe që ka bërë histori në stolin e Bajernit të Mynihut.
Bëhet fjalë për ish-trajnerin Jup Hajnkes, i cili ka dhënë një intervistë për revistën “Kicker” dhe nuk ka nguruar të vlerësojë punën e bashkëkombësit të tij në krye të klubit të Barçës. Hajnkes ka treguar dhe çelësin e suksesit të Flikut. “Ai ka fituar shumë respekt për modelin e punës dhe sjelljen e tij. Lojtarët spanjollë duan të shoqërohen dhe të mbështeten, diçka që Flik edhe pse është disi i rezervuar në karakter ka mundur ta bëjë”.
“Hansi (Flik) është një person i dashur, ai kërkon komunikim – tha Hajnkes – Për fatin e tij edhe lojtarët e Barçës janë në formë dhe po i përgjigjen mjaft mirë atij. Mund të them se Levandovski dhe Rafinja janë shembuj të përsosur”. Jup Hajnkes (79 vjeç) fitoi tripletën me Bajernin në vitin 2013, vit në të cilin u shpall trajneri më i mirë në botë nga FIFA, dhe i dha fund karrierës së tij si trajner në 2018.
PANORAMASPORT.AL