Disfata në Champions konfirmon Juven si kantier në ndërtim, Mota kërkon ringjalljen e bardhezinjve kundër Interit

Një humbje që pes hon, por njëkohë sisht e merituar. Humbja e parë sezonale për Juventusin që i bën bardhezinjtë të reflektojnë dhe që mund të kthehet në një mundësi të mirë ringritjeje.Disfata e hidhur në Europë me Juventusin që u anulua totalisht nga loja e Shtutgartit i dha “Zonjës” një dush të ftohtë dhe që e konfirmon ende si një kantier në ndërtim. Në këtë rast edhe entuziastët e mëdhenj të Juventusit janë kthyer disi me këmbë në tokë, pas shumë fantazive që vinin nga starti pozitiv i Tiago Motës. Ky i fundit ndërkohë ka një detyrë delikate, të transformojë zhgënjimin në një shans për të karikuar të gjithë edhe njëherë që të reagojnë për sfidën e ditës së diel ku e pret një përballje e vështirë ndaj kampionëve të Italisë, Interit.

DISFATA- Kundër nënkampionëve të Gjermanisë nuk funksionoi pothuajse asnjë gjë. Mbrojtësit e krahut treguan limitet e tyre ndaj sulmeve kundërshtare, qendra e mbrojtjes shpesh e shpërqendruar, asnjë rast i rrezikshëm nga Jildiz e Konseisao dhe zero raste të rrezikshme nga Vlahoviç. Sulmuesi serb edhe njëherë tregon se ka shumë limite dhe se duhet të punojë ende shumë për të qenë një lider te “Zonja e Vjetër”.

ALIBITË- Mungesat e shumta nuk mund të jenë një alibi, sidomos në mbrojtje ku të njëjtët lojtarë ishin edhe gjatë emergjencave të tjera dhe kanë arritur të bindin me lojën e tyre. Mjafton të shihet se në kampionatin italian kanë pësuar vetëm një gol në tetë ndeshje, ku disa prej tyre janë luajtur pa liderin Gleison Bremer. Sigurisht që Niko Gonzalez dhe Kopmainers në repartin ofensiv janë të rëndësishëm për sistemin e lojës së Tiago Motës, por kur filozofia është e qartë dhe ndryshimi i nivelit të lojtarëve nuk është shumë i madh, mungesat nuk mund të jenë kurrsesi një alibi për mungesën e prodhimit të lojës.

MANGËSITË- Ndaj Shtutgartit skuadrës bardhezi i mungoi shpirti dhe mbi të gjitha humbi atë identitet që të gjithë besonin se Juventusin kishte krijuar deri më tani. Bardhezinjtë nuk arritën dot kurrë të merrnin kontrollin e lojës, lanë topin në këmbët e kundërshtarëve dhe u mbyllën në mbrojtje si të ishin një ekip i vogël. Një ndeshje e tillë nuk ishte parë deri më tani nga Juventusi i Tiago Motës.

KANTIER- Prandaj ajo që mund të konfirmohet pas humbjes së parë sezonale të Juventusit është se ata janë akoma një kantier në ndërtim e sipër. Për këtë motiv, një humbje e tillë, e merituar, që vjen si një shuplakë, mund të jetë një ndihmë e madhe për të kuptuar mangësitë e një grupi që është ende në ndërtim. Një shuplakë që mund t’i zgjojë në prag të një sfide shumë të rëndësishme si ajo e së dielës përballë Interit. Te “Zonja” tashmë kërkohet reagimi i menjëhershëm edhe pse momenti jo detyrimisht është i duhuri në raport me kundërshtarin.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top