Trajneri i Real Madridit, Carlo Ancelotti, ka folur në konferencën për shtyp para ndeshjes së nesërme (e shtunë) “El Clasico” kundër Barcelonës.
Real Madridi pret Barcelonën në stadiumin “Santiago Bernabeu” në ndeshjen e parë “El Clasico” të sezonit 2024-2025 dhe të dy ekipet vijnë nga një formë e lartë.
Ancelotti duhet të modifikojë 11-shen e tij dhe të vlerësojë nëse ai ndryshon sistemin pas mungesave të konfirmuara të Rodrygo Goes dhe Thibaut Courtois.
Për ndeshjen dhe gjithçka tjetër ka folur vetë trajneri italian, i cili nuk beson se kjo përballje ka një favorit të qartë.
“Skuadra është mirë, e motivuar, pasi si gjithmonë kjo është një lojë e komplikuar dhe argëtuese”, ka thënë fillimisht Ancelotti.
“Ata (Barcelona) kanë një ide shumë të qartë të lojës, janë një ekip shumë i guximshëm dhe ne duhet të përgatitemi mirë për lojën.
Ata me të vërtetë po bëjnë shumë mirë, është e vështirë të përmendësh një favorit në një ‘El Clasico’. Për fat të mirë asgjë nuk më mban zgjuar natën”.
“Favorit? Nuk ka, varet nga shumë gjëra, nga mënyra se si i menaxhon ndeshjet, do të ketë raste kur ne kemi kontroll dhe herë të tjera ata do ta kenë. Dhe menaxhimi i kësaj është shumë i rëndësishëm.
Plani kundër Barçës? Kam diçka në mendje, por duhet ta shihni nesër dhe më pas mund të më thoni nëse kam gabuar apo jo”, përfundoi trajneri italian.