“Pasime gabim, lëshim, ishim katastrofë”! Humbi 4-0 nga Bylisi, Martini: Ndeshja ime më e dobët te Teuta

Sot janë luajtur dy takimet e para të Superiores. Egnatia dhe Dinamo ishte një prej ndeshjeve më interesante të kësaj jave dhe ka përfunduar, teksa ndeshja u mbyll në shifrat 1-1. Dy penallti vendosën historinë e 90 minutave. Në fillim ishte Egnatia që kaloi në avantazh, ku Lushkja u tregua shumë i saktë nga 11-metrat në minutën e 20.

Topi në njërin krahë dhe portieri në anën tjetër, kështu ekipi i rrogozhinasve gjeti golin e parë. Festa e tyre zgjati shumë pak pasi edhe Dinamo fitoi një 11-metërsh. Gjuajtja e Bregut nuk ishte më pak e saktë se e Lushkjas duke mos i lënë asnjë mundësi portierit kundërshtar për të reaguar. Ndërkohë në pjesën e dytë Aleksi do të merrte kartonin e dytë të verdhë në minutën e 53, duke lënë Egnatian me 10 lojtarë. Por kjo skuadër arriti që të rezistojë ndaj Dinamos së Ilir Dajës, për të marrë një pikë nga kjo përballje.

Nga ana tjetër, Bylisi ka fituar thellë ndaj Teutës, 4-0. Goli i parë u shënua nga Abazaj në minutën e 4 me anë të penalltisë. Në minutën e 21, ishte Berko që gjeti edhe golin e dytë për ballshiotët. Uria ishte e madhe për ballshiotët, që lanë edhe disa hapësira mbrapa, ku në dy raste Teuta mund të ngushtonte diferencat me Kotobellin dhe Tomën. Pjesa e dytë i përkiste sërish Bylisit, teksa në minutën e 63, Ruci shënoi edhe golin e tretë me kokë. Për të përmbyllur statistikat mendoi Gjata nga pika e bardhë e penalltisë, 4-0. Menjëherë pas takimit, trajnerët kanë folur në “RTSH Sport”:

Ilir Daja: “Egnatia ka fituar titullin kampion, është ekip i mirë, sigurisht ishte e vështirë si ndeshje. Në 10 minutat e para e nisëm mirë ndeshjen, por më pas kemi bërë disa gabime. Është edhe meritë e Egnatias, është ekip i mirë. Duhej të ishim fituar më shumë në situata një kundër një, Egnatia u tërhoq në presing ultra difensiv. Egnatia luajti më mirë me 11 lojtarë, duhej të bënim diçka më shumë kur kishim një lojtar më tepër”.

Martini: “Ishte ditë e keqe sot. Pësuam në miinutën e 3-të. Ndeshja më e dobët nën drejtimin tim të Teutës, nuk është parë kjo gjë. Shumë pasime gabim. Lëshuam në fushë, nuk kishim ndërrime për të bërë. Ishte katastrofë kjo ndeshje, asgjë nuk funksionoi. Shpresoj t’a kalojmë këtë gjendje sa më shpejtë. Në momentin që na duheshin alternativat sa më shumë, na goditi fati si në rezultat edhe në dëmtime”.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top