Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka marrë vendime të ashpra për problemet në sfidën e javës së 9-të të Superiores, atë mes Elbasanit dhe Partizanit. Për problemet e shkaktuara nga tifozët vendas në “Elbasan Arena” janë përjashtuar nga stadiumet 6 persona.
VENDIMI:
Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e Abissnet Superiore AF Elbasani – FK Partizani të zhvilluar më datë 20.10.2024 ora 17:00 në stadiumin “Elbasan Arena” ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE
VENDOSI:
Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe personave të më poshtëm:
Giulio Zero Krasniqi
Xhenis Arjan Lila
Ledjo Xhevit Rama
Ardjan Shefqet Gashi
Roxher Lulzim Daka
Fredi Agim Ceka
Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.
Një kopje e këtij vendimi t’i përcillet Policisë së Shtetit.