Nis mbledhja e UEFA SES në Tiranë, Presidenti Duka: Të angazhuar për të krijuar një të ardhme më të mirë e më të qëndrueshme për futbollin europian & komunitetet

Federata Shqiptare e Futbollit mirëpriti sot në Tiranë mbledhjen e rëndësishme të UEFA-s për Qëndrueshmërinë Mjedisore dhe Përgjegjësinë Sociale (SES Community), ku morën pjesë përfaqësuesit nga 55 federatat anëtare të UEFA-s.

Në nisje të ditës së parë të mbledhjes, Presidenti i Federatës, Armand Duka, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku theksoi se të gjithë jemi të angazhuar për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për futbollin europian dhe komunitetet tona.

Presidenti Duka u shpreh se të gjitha federatat luajnë një rol të rëndësishëm, që futbolli të lërë një ndikim pozitiv në jetën e të gjithëve, nga ulja e ndotjes mjedisore tek barazia sociale, jo vetëm në stadiumet e futbollit, por në jetën e shumë njerëzve dhe komuniteteve në të gjithë Europën.

“Në emër të UEFA-s dhe Federatës Shqiptare të Futbollit, kam kënaqësinë të mirëpres këtu sot përfaqësues nga të 55 federatat anëtare të UEFA-s për këtë takim të veçantë të drejtuesve të qëndrueshmërisë sociale dhe mjedisore.

Jam i nderuar të qëndroj para jush sot, ndërsa jemi mbledhur këtu bashkë me një angazhim për të krijuar një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për futbollin europian dhe komunitetet tona. Vitet e fundit kemi qenë dëshmitarë të sfidave, por edhe të mundësive që nxjerrin në pah rëndësinë e qëndrueshmërisë sociale dhe mjedisore, si brenda dhe jashtë fushës.

Ne të gjithë luajmë një rol të rëndësishëm, që futbolli të lërë një ndikim pozitiv në jetën e të gjithëve, nga ulja e ndotjes mjedisore tek barazia sociale, dhe kjo jo vetëm në stadiumet e futbollit, por në jetën e shumë njerëzve dhe komuniteteve në të gjithë Europën. Të gjithë së bashku jemi në shërbim të lojës sonë të bukur të futbollit dhe me këtë kemi edhe shumë përgjegjësi”, – tha kreu i qeverisë së futbollit shqiptar, duke përmendur edhe eksperiencën e EURO 2024 si një shembull të shkëlqyer për qëndrueshmërinë.

“Takimi i sotëm ka një rëndësi të madhe, sepse ne mund të përfshihemi në diskutime dhe të zbulojmë praktikat më të mira që do të nxisin ndryshime dhe përmirësime ne te ardhmen. Dhe EURO 2024 ishte një shembull i shkëlqyer dhe një sukses i madh kur bëhet fjalë për të qenë të qëndrueshëm.

Dëshiroj të shfrytëzoj rastin për të falënderuar veçanërisht mikun tim dhe tonin Michele, Drejtor i Qëndrueshmërisë Sociale dhe Mjedisore dhe ekipin e tij, së pari për një punë të mrekullueshme në këto vite dhe së dyti për organizimin e këtij seminari në Tiranë, për të cilin jemi jashtëzakonisht të lumtur që e mirëpresim sot në Shqipëri. Faleminderit dhe njëherë që keni ardhur këtu dhe për angazhimin tuaj në lojën e bukur të futbollit dhe shijoni qëndrimin tuaj në Tiranë”, – deklaroi Presidenti Duka në fjalën e tij.

Më tej, fjalën e mori Drejtori i UEFA-s për Qëndrueshmërinë Sociale dhe Mjedisore, Michele Uva, i cili fillimisht falënderoi Federatën e Futbollit dhe Presidentin Duka për mikpritjen dhe vlerësoi prezantimin e  strategjisë së qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë sociale në prill që shërbeu si indicie për mbajtjen e mbledhjes SES Community në Tiranë.

“Më lejoni ta filloj nga falënderimi për Federatën Shqiptare të Futbollit që na mirëpriti sot këtu dhe mbështetjen që na dhanë për këtë organizim. Ideja për të ardhur në Shqipëri ishte pas prezantimit fantastik të strategjisë së qëndrueshmërisë dhe përgjegjësisë sociale në prill, në një fushë futbolli, duke ndjerë aromën e barit që më dha një mesazh: qëndrueshmëria mjedisore nis në mesin e fushës, aty ku qëndron topi, pastaj kalon te ekipet, zyrtarët e ndeshjes, tifozët, media etj. Ne si UEFA duam të japim mesazhin që strategjia e qëndrueshmërisë nuk bazohet vetëm në Zvicër, por është kudo.

Ne si UEFA duhet t’i ndihmojmë të gjithë, por fillimisht duhet të krijojmë një plan veprimi. Ne kemi rritur financimin nga 20-75% të buxhetit tonë, më shumë se 8.5 milionë € për ju, për të financuar projektet tuaja, ndërsa pjesën tjetër e kemi shfrytëzuar për të krijuar mjetet e nevojshme, udhëzime, trajnime dhe mbështeje. Dua të falënderoj Zv.Presidentin e UEFA-s, Armand Dukën, për mbështetjen në këtë organizim. Faleminderit dhe gjithmonë të bashkuar!” – tha ai.

Gjatë mbledhjes u diskutuan disa pika të ndryshme që kanë të bëjnë me çështjet mjedisore dhe përgjegjësinë sociale.

Mbledhja e Qëndrueshmërisë Sociale dhe Mjedisore do të vijojë nesër me ditën e dytë të diskutimeve dhe përmbyllet të mërkurën, në datën 30 tetor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top