Të fitosh nuk mjafton. Duhet të stërfitosh. Sezonin e kaluar Interi mbretëroi futbollin italian duke qenë një skuadër e jashtëzakonshme që nuk u ndal përballë askujt dhe dha leksione ndaj të gjithëve.
Por këtë sezon, pavarësisht ecurisë pozitive në Champions me 0 gola të pësuar, 7 pikë të grumbulluara nga 9, skuadra e Inzagit duket që ka humbur besimin në kampionat. Nuk është më solide dhe këtë e konfirmojnë shifrat. Jan Zomer ka nxjerrë nga porta e tij 13 topa pas 9 javësh. Ndërkohë që Interi i sezonit të kaluar kaq shumë gola i pësonte vetëm në javën e 27-të të Serisë A. Diferencë e frikshme. Ditën e diel në “Meazza” kundër Juventusit u konfirmua ky fakt dhe vështirësia që po jetojnë në fushën e lojës kampionët.
VENDOSJE GABIM- Goli i tretë i bardhezinjve është fotografia e qartë e momentit që po kalon skuadra e Interit. Me avantazhin 4-2, zikaltrit shkojnë të bëjnë presing lart për të rikuperuar një top. Dy mbrojtës qendrorë nga 3, De Vraj dhe Bastoni janë në gjysmëfushën kundërshtare, të gjithë në krahun e majtë duke lënë autostradë djathtas.
Juventusi u tregua i zgjuar për ta spostuar lojën te Kenan Jilldiz që ishte i vetëm kundër Denzel Dumfrisit. Holandezi pret shumë, duke e lejuar turkun të avancojë dhe për ta çuar topin në rrjetë. Lojtarët e Interit nuk parashikuan asgjë nga kjo situatë dhe asnjë skenar në fushë. Një aspekt që këtë herë nuk po funksionon fare. Gabime që në fakt po paguhen shtrenjtë sepse janë -4 pikë nga Napoli i vendit të parë.
TAKTIKISHT- Evidenca aktuale është që ky Inter qoftë taktikisht, por edhe fizikisht duket vite dritë larg atij të sezonit të kaluar. Përgatitja atletike përpara sezonit nuk ka qenë më e mira e mundshme për shkak të Europianit dhe Kupës së Amerikës. Dëmtimet muskulore janë duke ndikuar në organikë. Trajneri nuk kishte alternativa në mesfushë edhe pse ka një prej organikave më të pasura të kampionatit. Kush u fut në fushë edhe ndaj Juventusit nuk mbajti të njëjtin ritëm si titullarët (Bisek, Fratezi, Darmian Taremi). Juventusi përfitoi për të shtyrë më shumë përpara. Edhe një herë tjetër Dumfris është me vonesë në golin e dytë të Jilldizit dhe të barazimit për Juven.
PA STRATEGJI- Për t’u rikthyer tek fillimi i analizës. Në këtë moment, Interi nuk mund të mendojë që të bëjë goleada. Me rezultatin 4-2, kur u humbën kaq shumë raste dhe kur nga fusha u larguan 3 protagonistë, një ekip i madh duhet thjesht që të menaxhonte kronometrin duke zotëruar topin pa i dhënë mundësi kundërshtarit që të dilte në kundërsulm. Duhej një rrugë e mesme për t’i dhënë 3 pikët skuadrës së Inzagit në derbi.
Disa lojtarë nuk po japin më të mirën dhe gabimet janë të dukshme. Katër golat e Juventusit erdhën nga lajthitjet teknike dhe taktike. Interi aktual nuk mund t’ia falë vetes këto.
Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL