Transferimi i djeshëm i Nedim Bajramit nga Empoli te Sasuolo e ka renditur atë në vendin e tretë sa i përket shitjeve më të shtrenjta të futbollistëve të Kombëtares shqiptare. Bajrami sipër ka Kristjan Asllanin, që në verë kaloi nga Empoli tek Interi për 14 milionë euro, ndërkohë rekordin e mban Marash Kumbulla.
Operacioni i kalimit të mbrojtësit nga Verona, i kushtoi Romës 28.5 milionë euro. Ndërkohë për Nedim Bajramin do të paguhen 6 milionë euro nga Sasuolo në arkat e Empolit, duke e bërë mesfushorin lojtarin e tretë shqiptar për nga shifra e transferimit. Pas fantazistit renditet ish-kapiteni kuqezi, Lorik Cana, i cili u transferua në vitin 2009 nga Marseja të anglezët e Sandërlendit për një shifër prej 5.8 milionë eurosh.
100 mijë euro më pak i ka kushtuar Atalantës portieri Etrit Berisha që erdhi nga Lacio. Në vendin e gjashtë renditet Elseid Hysaj, i cili kushtoi pesë milionë euro në transferimin nga Empoli te Napoli. Rasti i Xhakomo Vrionit ishte pjesë e plusvalencave të Juventusit, transferim ky në shifrën e 4.1 milionë eurove nga Sampdoria te Juventus U-23.
Renditja vijon me Myrto Uzunin, sulmuesin që u transferua një vit më parë nga Hungaria te Granada. Ferencvaroshi mori 4 milionë euro nga spanjollët. Një tjetër transferim i bujshëm ishte edhe ai i Mario Mitajt. AEK-u e shiti te Lokomotiva e Moskës për 3 mln euro. Dhjetë vendet e para i mbyll Erjon Bogdani, i cili u shit nga Siena te Kievo-Verona në vitin 2007, po për tre milionë euro.
Pas Bogut vjen Shkëlzen Gashi nga Bazeli te Koloradoja në SHBA për 2.7. Më pas renditen gjashtë kuqezinj që janë transferuar për shifrën e dy milionë eurove. Balaj nga Rijeka te Tereku në Rusi, Ismajli nga Specia tek Empoli, Bare nga Malaga tek Espanjoli, Manaj dy herë nga Interi tek Albasete dhe nga kjo e fundit te Barcelona B, Migjen Basha nga Frosinone tek Atalanta dhe Grezda nga Osijeku te Rejnxhërs. Më tej vijohet me Sokol Cikalleshin që kaloi nga Spliti te Bashakshehiri për 1.8 mln.
Mërgim Mavraj po me të njëjtën shifër u shit nga Këlni te Hamburgu. Listën e përfundon Emanuele Ndoj që Bresha e bleu për 1.2 milionë euro nga të rinjtë e Romës. Xhuliano Skuka ishte rekord për kampionatin shqiptar, teksa e bleu Metzi në Francë për 1.4 milionë euro. I fundit në listën që “Panorama Sport” ka publikuar është Enis Çokaj që kaloi nga Kroacia te Panathinaikos. /Panorama Sport