Pro dhe kundër, nga Guardiola te Benzema. “Topi i Artë” dhe bojkoti i Real Madridit përçajnë botën e futbollit

Debatit për “Topin e Artë” të këtij viti iu bashkua së fundi edhe Karim Benzema. Bojkoti i ceremonisë së të hënës në Paris nga krejt Real Madridi, për shkak se Vinicius Junior nuk triumfoi këtë edicion në çmimin prestigjioz, edhe pse shumë e bënin fakt të kryer këtë gjë paraprakisht, ka provokuar më shumë komente te njerëzit e futbollit.

Fjala vjen, presidenti i La Liga-s, Javier Tebas u shpreh kështu për mungesën e Real Madridit në ceremoninë e “Topit të Artë” 2024: “Unë jam tifoz i Real Madridit. Vlerat e rëndësishme të këtij klubi nënkuptojnë të jesh zotëri dhe t’i shtrëngosh dorën tjetrit kur humbet.

Ka kohë që Real Madridi e ka humbur këtë mentalitet. Ata duhet të kishin shkuar në ceremoninë e ‘Topit të Artë’ dhe të mos e vinin në dyshim sistemin e ‘France Football’, që është transparent, me 100 gazetarë që votojnë. Viktimizimi i Real Madridit është i tepruar, nuk e di se nga po shkojnë. Është mungesë elegance”.

Nga ana e tij, Pep Guardiola nënvizoi: “Cristiano Ronaldo ishte një përbindësh, ndërsa më i madh se përbindëshi ishte Messi. Të dy kanë bërë gjëra të mahnitshme në 20 vitet e fundit. Tani është një epokë tjetër, çdokush mund ta fitojë ‘Topin e Artë’ dhe në fund mendimi është i lirë.

Në atë kohë, Xavi dhe Iniesta, gjithashtu e meritonin ‘Topin e Artë’. Nëse Vinicius do të kishte fituar ‘Topin e Artë’, do të ishte më se e merituar. Si sezonin e kaluar, kur Erling Haaland e meritoi ta fitonte, por nuk ia doli. Sidoqoftë, Erling shkoi në ceremoni, ishte i lumtur dhe e uroi Messin, duke thënë se do të bënte gjithçka që të kthehej në gala-në e Parisit dhe ta fitonte një ditë”.

Më ironik u tregua Sergio Agüero: “Ishte triumf i merituar. Rodri është lojtari më i mirë në botë. Futbolli është për të gjithë, jo vetëm për Real Madridin. Atje mendojnë se duhet të fitojnë gjithçka…”

Karim Benzema u afishua përkrah sulmuesit zrazilian dhe ish-klubit të tij në këtë debat: “Mbeta i zhgënjyer. Kam folur me Vinicius, është i trishtuar dhe kjo duket mëse normale. Nuk kam asgjë kundër Rodrit, ai është lojtar i mirë, por nëse jam në kolltukun tim para televizorit, Rodri nuk bën asgjë që më shtyn të them ‘uaaaa’. Vinicius meritonte ta fitonte këtë vit.

Është e komplikuar kur e gjithë bota të sheh si fitues të ‘Topit të Artë’ dhe në fund, vetëm një ditë apo edhe një orë para nisjes për në mbrëmjen gala, të thonë se nuk do ta fitosh. Duket shumë e komplikuar, por Vini është një djalë i shkëlqyer dhe do të punoj fort për ta fituar një ditë këtë çmim. Jam i sigurt për këtë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top