Lojtari i Manchester United, Mason Greenwood ka shpëtuar nga të gjitha akuzat. Policia e Manchesterit ka njoftuar sot se procedimi penal ndaj tij ka pushuar. Sulmuesi 21-vjeçar u përball me akuza për tentativë përdhunimi, sjellje kontrolluese dhe dhunë. Të treja këto akuza lidheshin me të njëjtën femër.
Në një deklaratë të sotme, kryeinspektorja Muchaela Kerr tha: “Duke pasur parasysh mbulimin e konsiderueshëm mediatik të këtij rasti, është e drejtë që të ndajmë lajmin se 21-vjeçari, i cili kishte qenë i arrestuar dhe i akuzuar në lidhje me një hetim të hapur në janar 2022, nuk përballet më me procedimin penal në lidhje me këtë.
Grupi hetimor ka qëndruar në kontakt të rregullt me ekipin ligjor, duke ofruar çdo përditësim të shënimeve, dhe në këtë mënyrë kuptojnë arsyetimin e ndërprerjes së procedimeve në këtë fazë dhe se ky vendim nuk ka qenë i lehtë për t’u marrë”.
Greenwood, ishte i pezulluar nga klubi anglez gjatë procesit gjyqësor. Ai nuk ka luajtur futboll profesional për një vit. Ndeshja e fundit që ai luajti për United ishte ajo në Premier Leaghue kundër West Ham më 22 janar të vitit të kaluar.