Mançester Junajtid nuk gjen gjetësi, debutimi i trajnerit të ri mund të shtyhet deri në një muaj

Sportingu i Lisbonës beson se kalimi i Ruben Amorimit te Mançester Junajtid është një punë e përfunduar, sipas “Sky Sports”. Amorim pritet që të zërë vendin e Erik ten Hagut në “Old Trafford” pasi holandezi u shkarkua të hënën. Amorim, 39 vjeç, u bë objektivi numër një për “Djajtë e Kuq” në fillim të kësaj jave dhe tani duket sikur ai e dëshiron marrëveshjen po aq shumë.

Sipas “Sky Sports”, Amorim u ka thënë punëdhënësve të tij aktualë se ai dëshiron të largohet dhe të pranojë punën me rekordmenët e Anglisë. Sportingu thuhet gjithashtu se beson se Amorim ka rënë dakord për marrëveshjen me Mançester Junajtid. Anglezët pranuan të paguajnë klauzolën e prishjes së kontratës prej 8.3 milionë paundësh për të marrë trajnerin portugez. Dhe ata mund të duhet të paguajnë edhe 4.1 milionë paund të tjera për të tërhequr në Mançester edhe stafin teknik të Amorimit.

Gjigantët portugezë duan para shtesë për të liruar tre anëtarë të besuar të stafit të Amorimit. Trajneri dëshiron të marrë me vete në “Old Trafford” asistentin e Sportingut, Adelio Kandido, ndihmës trajnerin Karlos Fernandesh dhe trajnerin e portierëve Zhorge Vital. Drejtuesit e Mançester Junajtid shpresojnë që Amorim të jetë në stol për përballjen e tyre me Çelsin këtë fundjavë. Junajtid luajti dje në Kupën Karabao për herë të parë nën drejtimin e zëvendëstrajnerit Rud van Nistelroi, përpara se të presë Çelsin në Premier Ligë të dielën në “Old Trafford”.

Megjithatë, ende nuk dihet nëse Amorim do të jetë në stol në ndeshjen kundër Bluve. Por ai mund të jetë edhe në tribunë ndërsa Nistelroi merr sërish përgjegjësinë në fushën teknike. Lajmet nga Portugalia pretendojnë se Amorim do të përfundojë periudhën 30 ditore të njoftimit të largimit nga vendi i punës, përpara se të bashkohet me “Djajtë”.

Gazeta portugeze “Record” ka sugjeruar që Amorim do të qëndrojë si shefi i Sportingut deri në pushimin e ardhshëm ndërkombëtar. Kjo do të thotë se ai do të jetë në stolin e klubit portugez për tre ndeshje të tjera, duke përfshirë një përballje në Champions kundër Sitit. Dhe në këtë mënyrë, ai do të mund të debutonte në stolin e Junajtidit në 24 nëntor, në transfertën me Ipsuiç Taunin.

PANORAMASPORT.AL

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top