Ashtu siç pritej, Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar rëndë nga UEFA për shkeljet e bëra në ndeshjen e 12 tetorit ndaj Zvicrës.
Gjatë asaj ndeshjeje kishte thirrje të vazhdueshme anti-Kosovë nga tifozët serbë. UEFA të premten mori vendimet lidhur me shkeljet e bëra nga huliganët.
Në fakt federata serbe është përballur me tre akuza: transmetimi i mesazhit që nuk është i përshtatshëm për ngjarje sportive; sjellje raciste dhe sjellje diskriminuese, trazira gjatë himneve kombëtare.
Për të tre akuzat është shpallur fajtore.Për sjellje diskriminuese të tifozëve të saj, Federata e Futbollit e Serbisë është dënuar me 25 mijë euro dhe me mbyllje të pjesshme të stadiumit për ndeshjen e ardhshme. Pjesa e dytë e dënimit, për mbyllje të 4000 vendeve në stadium, është me kusht për dy vjet.
Për shkak se u fishkëllye himni i Zvicrës nga tifozët serbe, Federata e Futbollit e Serbisë është gjobitur me 10 mijë euro. 17 mijë e 500 euro, serbët do t’i paguajnë në UEFA për transmetim të mesazhit provokues, të papërshtatshëm për ngjarje sportive.
Këtu përfshihen thirrjet e vazhdueshme anti-Kosovë. Në fushë ndaj Serbisë ishte Granit Xhaka, i cili u sulmua shpesh nga tifozët serb.