Teuta pas barazimit me Elbasanin në sfidën e radhës do të kërkojë rikthimin te fitorja në kampionat. Pengesa e radhës për durrsakët është Partizani.
Një transfertë e vështirë për “djemtë” e Edi Martinit, të cilët do të synojnë pikë në “Arenën e Demave”, takim që do të luhet ditën e hënë në orën 18:00. Por jo vetëm kaq, duket se muaji nëntor për “djemtë e detit” është një muaj “ferri”.
Kjo pasi, pas Partizanit presin në shtëpi Skënderbeun, me korçarët që enden në zonën e ftohtë të klasifikimit dhe duan pikë për t’iu larguar vendeve të fundit. Ndërkohë në transfertë do të luajnë ndaj Vllaznisë dhe më pas sfidën e fundit të këtij muaji do ta luajnë po në transfertë, këtë herë ndaj Dinamos.
Një kalendar “ferri” për Teutën, me durrsakët që do të tentojnë të sigurojnë maksimumin e pikëve për të qëndruar larg zonës së ftohtë të rendites dhe për të qenë në garë për një vend në “Final – Four”.