Në derbin e fituar mbrëmë ndaj Milanit kishte dorë edhe Hakan Calhanoglu. Pas ofendimeve të marra në festën e Milanit për titullin e sezonit të kaluar, mesfushori turk i Interit iu hoqi kënaqësinë e fitimit të Superkupës në Riad ish-shokëve të tij, si dhe u gëzua pas asistit të golit të fitores mbrëmë, realizuar nga Lautaro Martinez.
Pas triumfit në Superkupë, Calhanoglu kishte deklaruar se “karma shtohet e gjitha. Ishte e vështirë për mua të shihja disa gjëra që nuk i prisja”. Referenca është për fyerjet gjatë festës së titullit të Milanit, sezonin e kaluar.
Mbrëmjen e djeshme, në minutën e 34-t të derbit, Calhanoglu po përgatitej të ekzekutonte topin nga flamuri i këndit dhe në atë moment është pushtuar nga ofendimet e zakonshme, që vinin nga “Curva Sud” e kuqezinjve: “Calhanoglu, bir i kur…”
Ish-mesfushori kuqezi ekzekutoi goditjen nga këndi, me krosimin e tij që shkoi si asist perfekt për goditjen me kokë të Lautaro Martinez. Një gol që do të ishte vendimtar. Përpara se të vraponte për të brohoritur me shokët e skuadrës, Calhanoglu u kthye nga “Curva Sud” e kuqezinjve, duke vënë gishtin tregues në hundë. Fyerjet e marra pak më parë u heshtën nga gjesti i tij.