Tare pa frena në merkato. Milani është shumë pranë mbylljes së marrëveshjes për Victor Boniface, por operacioni nuk do të rëndojë menjëherë në arkat kuqezi.
Sulmuesi nigerian do të vijë nga Bayer Leverkusen në huazim, me të drejtë blerjeje, një formulë që do ta zhvendosë shpenzimin e vërtetë ekonomik vetëm verën e ardhshme, kur Igli Tare do të vendosë nëse do ta konfirmojë investimin apo jo.
Kjo zgjedhje i lejon drejtorit sportiv kuqezi të ruajë ende hapësira manovrimi në këtë fund merkatoje, për ta plotësuar skuadrën në dispozicion të Massimiliano Allegrit. Reparti që mund të ketë nevojë për një përforcim të fundit është qendra e mbrojtjes.
Allegri ka treguar fleksibilitet të madh duke kaluar nga 3-5-2 në 4-3-3, duke shfrytëzuar edhe përshtatshmërinë e Tomorit si mbrojtës i djathtë, por numrat mbeten të kufizuar.
Përveç anglezit, trajneri livornez mund të mbështetet te Gabbia, Pavlovic, De Winter dhe të rinjtë Athekame e Bartesaghi, më të përshtatshëm për rolin e krahëve.
Për këtë arsye, Tare mban gjallë pistën Caleb Okoli, qendërmbrojtës klasi, i lindur më 2001, pjesë e Leicesterit, i vlerësuar mes 10 dhe 15 milionë eurove.
Pëlqehen edhe profile me më shumë eksperiencë: Kim Min-jae i Bayern Munich, i sonduar në qershor, por i frenuar nga paga prej 8 milionë euro në vit; Andreas Christensen i Barcelonës (mbi të cilin peshojnë dyshimet fizike) dhe Jakub Kiwior i Arsenalit, ndonëse “topçinjtë” nuk e lehtësojnë tratativën.
Së fundi mbetet edhe pista “italiane”: Berat Gjimshiti i Atalantës, mbrojtës i besueshëm dhe tashmë i mësuar të luajë si në një repart me tre, ashtu edhe në Serie A.