Shpresat për të nxjerrë sa më shumë njerëz të gjallë nga tërmetet në Turqi dhe Siri nuk kanë marrë fund. Një lajm i mirë vjen nga Hataj i Turqisë, ku një grua e quajtur Saadet Sentag u nxor nga rrënojat e shtëpisë së saj pas 177 orëve.
Në një foto të publikuar në internet, shihet gëzimi i djalit të saj teksa ajo nxirret nga ekipet e kërkim-shpëtimit.Kujtojmë që nga tërmeti me magnitudë 7.8 në Turqi dhe Siri, kanë humbur jetën mbi 24 mijë persona.
Autoritetet turke kanë kryer një valë arres.imesh të ndërtuesve të pronave të akuzuar për “neglizhencë” mbi shembjet e ndërtesave për shkak të tërmetit të javës së kaluar, mes zemërimit në rritje të publikut mbi reagimin e qeverisë ndaj katastrofës.
Të paktën 134 persona po trajtohen si të dyshuar dhe nën hetim në lidhje me ndërtimin e ndërtesave që u shkatërruan gjatë tërmetit, tha të dielën ministri turk i drejtësisë Bekir Bozdag.
“Tre nga këta të dyshuar u arrestuan në pritje të gjyqit, shtatë prej tyre janë në parab.rgim, shtatë të tjerëve iu është ndaluar udhëtimi”, tha Bozdag. “Neglizhencë e zbuluar, ne do të bëjmë atë që e kërkon ligji.”
Yasemin Didem Aktas, inxhinier strukturor dhe lektor në University College London, i tha CNN se ndërsa tërmeti dhe pasgoditjet e tij përbënin “një ngjarje shumë të fuqishme që do të sfidonte edhe ndërtesat që janë në përputhje me kodin”, problemet e ndërtimit ekzistonin.
“Ajo që ne po shohim këtu është padyshim ajo që na tregon se diçka nuk është në rregull në ato ndërtesa, dhe mund të jetë fakti se ato nuk ishin të ndërtuara sipas rregullave në fillim, ose zbatimi nuk ishte bërë siç duhet”, tha Didem Aktas. “Ne po shohim gjithashtu në Turqi shumë shpesh që modifikimet pas përdorimit të ndërtesave komprometojnë sigurinë e tyre.”