Emisioni sportiv “Panorama Sport” ka startuar në orën 16:30 nën moderimin e gazetares dhe ish-futbollistes, Vjosana Nozllaku. I ftuari i parë ka qenë ish kapiteni i kombëtares kuqezi Lorik Cana.
Lorik, shumë njerëz janë të interesuar se çfarë po bën momentalisht dhe me çfarë po merresh?
“Këto dy muajt e fundit qëkur ka mbaruar pjesa e parë e sezonit të Champions Ligës, jam këtu në Itali, me familjen që jetojmë në Romë duke kaluar sa më shumë kohë me familjen, me festat e fundvitit që i kalova me familjarët e mi të cilët kanë ardhur këtu dhe nga shkurti rifillojnë aktivitetet që i kemi me pjesën e televizionit në Shqipëri, me Champions tek Tring dhe projekte të ndryshme që janë mes Shqipërisë dhe Italisë në pjesën e trashëgimisë kulturore me fondacionin tim që është një pjesë që po e shijoj shumë dhe ka shumë gjëra për të bërë.”
Lorik ti tashmë po jeton mes Shqipërisë dhe Italisë, por a e ke vendosur që të zhvendosesh së bashku me familjen këtu, apo Monika ka dëshirë që të jetojë aty?
“Monika është shumë e hapur që të vijë në Shqipëri, që kur mbarova karrierën në 2016-ën pas Europianit, kemi jetuar 3 vitet e para aty dhe kanë qenë fantastike. E kemi shijuar shumë periudhën këtu së bashku me djalin, pasi nuk e kishim vajzën tonë Enkelejdën e cila lindi në 2020-ën, dhe Monika është shumë e hapur por përsa i përket aktiviteteve të mia që kam për të bërë, kam Romën si bazë, por kjo nuk më pengon aspak që të jem aty apo në Kosovë apo ku duhet të jemi për aktivitetet e mia”.
Meqënëse përmendët vajzën, ai i ke sjell të dy fëmijët në Shqipëri a ju ke folur për vendin dhe sa shqiptarë ndjehen Bojkeni dhe Enkelejda?
Bojkeni ka disa kujtime aty sepse ka jetuar 3 vite, nga mosha 1 deri në 4-vjeç. Ka filluar vitin e parë në kopësht, ka shokë dhe shoqe, ka akoma mësuesen e parë dhe ai e kupton shumë mirë gjuhën shqipe. Akoma nuk e ka atë vetëbesimin me fol shqip.
Çfarë gjuhe flet më shumë djali, shqip apo italisht?
“Ai flet më shumë italisht, flet pak anglisht, shqipen e kupton shumë mirë, çfarëdolloj gjëje që i thua, kur ka të bëjë me një përgjigje të shkurtër përgjigjet shqip, por kur është përgjigje e saktë aty nuk e ka besimin dhe përgjigjet në italisht. Unë i kam folur vazhdimisht dhe koha që ka qenë aty e ka ndimuar shumë. Ndërsa vajzën e sollëm verën e kaluar në Shqipëri, ku u mblodhëm me familjarët e mi në Gjirin e Lalzit ku kaluam tre javë, kemi në plan që një muaj në verë të vijmë atje pavarësisht kur ata vijnë këtu sepse gjuha shqipe është e vetmja komunikim mes fëmijëve dhe familjarëve të mi.”
Duke qenë se jemi tek fëmijët, ku e sheh ti të ardhmen e fëmijëve? A e sheh në sport Bojkenin?
“Kjo është pak herët për tu thënë, pasi ai është 7 vjeç dhe merret me sport ka pothuajse aktivitet cdo ditë. Kam dëshirë që sporti të jetë pjesë e përgjithshme jetës së tij, pastaj mes të praktikuarit sport apo për të qenë profesionist është një botë shumë e madhe, por e ka dashurinë për sportin, bën 3 herë në javë futboll, 2 herë në javë bën tenis. Futbollin e ka më shumë qejf, por është akoma shumë herët për të folur, me rëndësi është ti bëjë gjërat me dëshirë dhe pasion dhe unë sigurisht do ti qëndroj mbrapa që të rritet me vlerat e sportit që janë vetëm një nisje sa më e bukur për një fëmijë që ta bëjë një person më të shëndetshëm dhe më të fortë kur të rritet pasi sfidat gjatë jetës nuk mungojnë asnjëherë”.
Duke u kthyer pak pas në kohë, me shumë ndeshje në kombëtaren kuqezi, cili është momenti më i bukur dhe cili është momenti më i vështirë që keni kaluar në kombëtaren kuqezi?
“Momentet më të bukura janë sigurisht shumë. Patjetër hera e parë kur vesh fanellën ekipit kombëtar, janë disa ndeshje sigurisht që të japin shumë emocion, apo dita e kualifikimit në Europian janë gjërat që spikatin. Pastaj sa u përket ndeshjeve të vështira, çdo humbje, çdo disfatë, kur ishte me ekipin kombëtar merrte gjithmonë një peshë pak më të rëndë se sa në klub. Në klub ne jemi profesionistë dhe e urrejmë humbjen, por kur humb me fanellën e kombëtares është pak më e veçantë se ke një lloj ndjenje që nuk ke kryer detyrën, ke zhgënjyer njerëzit dhe ndjehesh më shumë në faj. Patjetër momente të vështira ka pasur, por është një histori e bukur, e jashtëzakonshme, të cilën jo vetëm unë, por të gjithë që kemi qenë pjesë e kësaj, do të na mbetet kujtim e shpresoj të jetë frymëzuese brenda dhe jashtë sportit”.
Ndër momentet më të bukura ishte edhe pjesëmarrja në Euro 2016, por një nga më të vështirat aty ishte kur Loriku u ndëshkua me karton të kuq. Si e ke përjetuar ti atë moment?
“Nuk është se kam pasur shumë kohë për ta menduar, është më shumë pas ndeshjes, se edhe kur mora karotnin e kuq, ishte vendim shumë i shpejtë në ato momente…”
Por ama portalet shpërthyen atëherë, si i përjetuat ato komente?
“Ishte një moment kur unë duhej të vendosja shumë shpejt ose të ndalja topin, ose jo. Është aq i shpejtë vendimi sa nuk ke as një të dhjetat e sekondës që të mendosh më mirë që të lësh kundërshtarin të vetëm për të goditur përballë portierit dhe 2-0 do të ishte pothuajse, jo e pamundur, por shumë e vështirë. Ose të ndalësh e të shpresosh të shpëtosh nga një faull që jep arbitri për ty, se mund të kishte dalluar një tërheqje fanellë të lehtë e të shpëtosh, e të shpëtonim të gjithë, apo të rrezikosh të marrësh kartonin e dytë. Janë vendime të cilat ndodhin në një ndeshje futbolli. Pastaj isha vetëm i fokusuar te skuadra që të ishim në lojë dhe të kishim mundësi për të barazuar dhe ajo ndodhi, pavarësisht se nuk ia dolëm me atë rastin e bukur që kishim me Shkëlzenin (Gashin). Gjithsesi, mbetet një histori… Më e dhimbshme ka qenë pjesa që mungova në ndeshjen e dytë në Marsejë. Gjithçka u mbyll në mënyrë fantastike në ndeshjen kundër Rumanisë, por është me të vërtetë mënyra se si kemi luajtur, patëm një farë merite edhe për të kaluar më tutje. Gjithsesi është një histori e bukur dhe nuk është se do t’i ndërroja shumë gjëra kësaj historie të veçantë”.
Duke kaluar këto momente në kombëtare, a mund të thuhet që ndeshja më e vështirë ka qenë ajo kundër Serbisë?
“Jo, mendoj se jo. Momenti më i vështirë ka qenë pas ndeshjes me Serbinë në Shqipëri, sepse e kam thënë shpesh edhe në dokumentarin që kemi bërë në vitin 2018 për të mbledhur fonde për fondacionin “Lorik Cana 5”. Aty kam thënë disa gjëra rreth momenteve më të vështira dhe për ndeshjen me Serbinë në shtëpi, sepse aty kishim mundësinë të mbyllnim kualifikimin në Shqipëri dhe nga euforia, dolëm pak nga profili ynë dhe rrezikuam më shumë se sa duhet dhe e pësuam përsëri në minutat shtesë. Dhe ato tre ditë pas ndeshjes me Serbinë, deri në ndeshjen në Armeni, ishin jashtëzakonisht shumë të vështira, të karikuara, me gjithë presionin që bëhet rreth ekipit kombëtar pas një disfate. Ishte shumë e vështirë, sidomos të mbaja djemtë të fokusuar me gjithë pjesën e mediave, rrjeteve sociale, miqtë, familjarët. Ishte goxha e vështirë, ndaj e bëri kualifikimin edhe më të bukur”.
Duke qenë se jemi tek Kombëtarja ku ti ke luajtur, do të doja një krahasim që si e shikoni ju atë që është sot me atë kur ti ke qenë?
“Le të themi më të bukurat, më të mirat dhe pastaj teknikisht që na bëjnë më të dobët është pjesa që shqiptarët kanë dy përfaqësuese. Kanë një Kombëtare që përfaqëson flamurin kombëtar dhe është ajo e Kosovës dhe është kjo pjesa që ne kemi pasur mundësi për një periudhë të caktuar të mbledhim lojtarët më të mirë gjithandej për të luajtur rreth flamurit kombëtar. Kjo pjesa e simbolikës, e frymës e cila mblidhte të gjithë njerëzit ne na jepte një forcë më tutje dhe na jepte përparësi ndaj ekipeve që luhen tani dhe është shumë gjynah pasi po të mblidhen dy ekipet atëherë Shiqëria nuk do të ishte vetëm një pretendente për të kaluar në fazën tjetër por besoj do të ishte shumë e fortë për tu kualifikuar çdo edicion në Europian apo Botëror. Tani duke analizuar pak kombëtaren shqiptare ka shumë lojtarë të mirë, të rinj që po spikatin që po luajnë në ekipe të mëdha. Unë thjesht mendoj se i duhet pak kohë dhe të mbërrihet një kulminacion përvoje dhe eksperience për të menaxhuar disa momente kritike të ndeshjes dhe të edicioneve për të dhënë më të mirën. Që tani unë bësoj që Kombëtarja ka një fat dhe mundësi shumë të mirë me shortin që ka, për të lënë mbrapa ose Poloninë ose Çekinë, më duket diçka shumë e arritshme”.
Kombëtarja duhet të rregullojë disa gjëra, por çfarë është ajo që nuk shkon dhe si e shikoni ardhjen e trajnerit Silvinjo?
“Nuk është lehtë për të thënë se çfarë nuk shkon, unë thjesht mendoj se disa lojtarë duhet të marrin peshë në shpatullat e tyre. Unë mbaj mend kur kam ardhur në Kombëtare isha 19 vjeç por kjo nuk më ka penguar që të marr ato përgjegjësitë e mia dhe brënda një grupi me lojtarë të mëdhenj dhe me eksperincë të madhe, siç ishin Tare, Rrakli, Lala, Skela,Hasi, Murati, Strakosha, por përgjegjësinë e kam marrë gjithmonë dhe kam dashur që të instalohet një frymë e fituesit, thjesht duhet që këta djem të marrin peshë sa më shpejt dhe të luajnë me nivele që i kanë lejuar të jenë pjesë e ekipeve të mëdhaja. Unë mendoj se është çështje kohë dhe konsolidimi dhe shumë shpejt do të shohim një ekip që e ka fatin në duart e saj dhe mendoj se jemi me fat që kemi lojtarë të tillë në ekipin kombëtar. Nuk kam shumë dijeni për trajnerin Silvinjo, e njoh shumë mirë si lojtarë e kam ndjekur, eksperiencat e tij si ndihmës trajner tek Interi apo në Lion ku kam pasur mundësi ta ndjek edhe pse ishte një periudhë e shkurtër. I kam parë pak ekipet e tij dhe nuk është se kanë shkuar shumë shumë mirë në Francë, më pas ndihmësi i Tites. Me rëndësi është që ai ka xhiruar botën dhe e ka një ide se si do me lujt, duket që është i rrethuar mirë me stafin teknik. Tek Shqipëria çfarë e bën të fortë një trajner është sa shpejt arrin të kuptojë realitetin e shqiptarëve, forcën dhe dobësitë tona, nuk është se nuk më pëlqen si zgjedhje. Jam shumë kurioz për të parë idetë e tij të para, pasi është shumë herët për të folur për mënyrën se si ka ardhur dhe komunikuar. E vetmja gjë e sigurtë është që ai dëshiron vetëm sukses dhe më të mirën sepse është trajneri i Kombëtares tonë tani dhe të gjithë ne si ambient, që jemi rreth futbollit, sportit dhe gjithandej duhet t’ja bëjmë sa më të lehtë dhe më të mirë punën”.