“Blu Bradhërs”-at prej Shkodre”- Nga humbja e babait, te martesa me Kiara Titon, Luiz Ejlli rrëfen në podcastin me Edi Ramën planet për të ardhmen

Këngëtari ka treguar se do vazhdojë të merret me muzikë, por gjithashtu do jetë pjesë e filmave dhe serialeve televizive.

“Unë do vazhdoj ëndrrën që m’u ndërpre, e ndërpreva vetë, nuk ma ndërpreu kush, me dëshirën time. Do vazhdoj aty ku e kam lënë. Do bëj këngë sa më shumë. Kam dhe projekte për filma që i kam marrë skenarët, filma, seriale. Një pjesë e tyre do të dalin deri në muajin tetor-nëntor. Janë bërë. skenarët më janë dhënë dhe unë jam personazh kryesor. Janë komedi. Janë bërë si skenarë, janë gati, thjesht do fillojmë xhirimet”, theksoi Luiz Ejlli.

Po ashtu ai i është përgjigjur pyetjeve me spec për martesën me Kiara Titon, teksa ka rrëfyer se gjithçka ishte reale dhe jo pjesë e spektaklit.

Biseda mes Edi Ramës-Benet Becit dhe Luiz Ejllit

Kryeministri Edi Rama:. Një gjë tjetër që më ka bërë përshtypje, je i lirë të mos e zhvillosh nëse nuk  e ndjen sepse ndoshta është shumë emocionale, shumë personale, por më ka bërë përshtypje në këto gjërat që mora vesh për ty, sepse është pak a shumë diçka që në një formë tjetër e kam përjetuar edhe vetë , humbjen e befasishme të babës. Dhe nuk mund të them respekt për çfarë ke bërë në Big Brother sepse ta thashë, nuk e di fare ç’ke bërë në Big Brother, por realisht më preku ajo shprehja që çfarë arrita ia dedikoj babës..

Luis Ejlli: Ka qenë në 24 dhjetor dhe rastisi fiks me datën që kam hyrë në Big Brother, 24 dhjetori. Po ishte i 2020 dhe ka qenë ora me orën tonë këtu, diku ora 10 dhe më merr baba në telefon dhe më thotë, po të marr tani që të uroj Krishtlindjen se më pas do kenë ngarkesë valët se të gjithë urojnë. Jo, – i thashë- nuk quhet, o në 12 o se quaj hiç dhe mbylla telefonin. Mirë, mirë- tha.

Në 11.30 më merr një shok që e kisha në Amerikë dhe e dija që  rrinte aty dhe më thotë: Luiz, dhe unë direkt i them  hë, si je  – mendova se po më uronte për Krishtlindje dhe ai. Ka ndodhur diçka, tha. I ka rënë babait, Luigjit, – se Luigj e ka pasur babi, – i ka rënë infarkt, tha, po më duket se është keq puna se nuk donte të thoshte që është fatale. Në atë moment unë e mbylla dhe mora nënën. Nëna me tha se ku e kisha marrë vesh unë para atyre. Pastaj, më morën dhe më thanë që ka ndërruar jetë. Ishte  shumë e vështirë se ishte dhe periudhë pandemie, punë avionësh, udhëtimesh, e kështu dhe vonoi për të ardhur trupi nga SHBA në Shqipëri, por ishte dëshira e tij që të varrosej në Shkodër tek “varret e Rr’majit” që i themi ne, tek varret katolike në Shkodër dhe ashtu e bëra. Erdhi, u bë ceremonia dhe kur kam hyrë domethënë, thoja ishalla po e bëj krenar.

Kryeministri Edi Rama: Është shumë e fortë kjo dhe nuk duket se e kanë thënë mrekullisht, kush e ka thënë, që kur vdes babai, bëhesh burrë, dhe kur vdes nëna, bëhesh fëmijë, por nënën ta kesh me jetë sa më të gjatë uroj. Ndërkohë që ti, fëmijë je, ndërkohë. Ajo që dua të shtoj këtu është më kujtove varrezat e Rr’majit, unë kam qenë aty dhe është një nga kujtimet më të freskëta dhe më të bukua të jetës sime. Kur u hap fjala që ishte akoma rregjimi, dhe u hap fjala që të bënte Dom Simoni meshën e parë, dhe jemi nisur me tren. Kemi shkuar në Shkodër, ishte një ditë shumë e vrenjtur. Tani mua më duket sikur po tregoj një  përrallë po nuk ka rëndësi, unë do ta tregoj siç është, sepse e kam kështu në sy.

Luis Ejlli: Unë kam foto atë ditë aty.

Kryeministri Edi Rama: Ke qenë aty?

Luis Ejlli: Jam pagëzuar aty.

Kryeministri Edi Rama: Edhe shkojmë atje, ishte një kështu si, gjithë që dukeshin si hije që mblidheshin. Kishte ca rreth e rrotull nga ata me pardesy që ishin të sigurimit atëherë, që dukeshin nga larg që i përkisnin atij rrjeti. Dhe më ka mbetur në sy një moment kur Dom Simoni del aty dhe fillon të flasë dhe hapet një copë në qiell po ishte.. nuk ishte qiell me re, ishte ajo grija totale, dhe hapet një copë atje dhe sikur fillojnë shkërmoqet retë, hapet një copë dhe bie një rreze mbi rrezen dhe unë isha me ata shokët e tjerë dhe u them: Ore, po e shoh vetëm unë apo është reale kjo? Ka qenë një ditë e jashtëzakonshme, fantastike.

Ndërkohë, Benet ti pjesën e marrëdhënies me babain, si e ke pasur? 

Benet Beci: Babai ka qenë, është shkencëtar tipik, vazhdon të jetë ashtu. Ka harxhuar shumë kohë me studime..

Kryeministri Edi Rama: Si e ke pasur marrëdhënien me babain në kohën kur e shihje nga poshtë lart.

Benet Beci: Aty desha të dal. Duke qenë i tillë, ka qenë pak prezent në shtëpi, jo shumë. Ka qenë gjithmonë o në bibliotekë o në dhomën e vet të punës dhe kishte një marrëdhënie me të pakët dhe herë-herë ishte jashtë, ca vjet ka qenë në Paris për doktoraturën në Sorbonë, kështu që nuk ka qenë një marrëdhënie e shpeshtë. Mamaja ka qenë më tepër prezentë. Si gjithmonë, ashtu kam përshtypjen ka qenë familja, por marrëdhënia me babain ka qenë esenciale sepse ne kishim një zakon, të paktën të shtunave e të dielave, po dhe ditë të tjera, mundoheshim të rrinim në tavolinë ku rrinim për drekë, ishin gjithmonë duke diskutuar për problemet e punës. Shumë gjëra kam mësuar në atë kohë nga diskutimet që bënte. Ai ka qenë në Akademinë e Shkencave, ka qenë në institutin e gjuhës. Atëherë diskutoheshin shumë probleme që kanë qenë të gjuhës letrare, të gegërishtes në atë kohë edhe diskutime të luftërave të majtës, të djathtës, diskutime të tilla.

Unë kam marrë një formim, mendoj shumë në ato tavolinat e bukës në familje, ku im atë diskutonte problemet që ai kishte në Akademi, që kishte me shkencën, që kishte me regjimin do të thoja në atë kohë, shqetësimet që kishte, edhe me konkurrencën, me xhelozitë.

Ajo ka qenë një kohë e rëndësishme për mua për të mësuar si fëmijë problemet e shoqërisë në atë kohë.

Kryeministri Edi Rama:  Ti familjen e ke në Amerikë?

Luiz Ejlli: Po, kam nënën dhe motrën, është e martuar, ka tre fëmijë.

Kryeministri Edi Rama:  Po ti shkon atje?

Luiz Ejlli: Kam shkuar, por nuk është se më ka pëlqyer mënyra e jetesës sesi është.

Kryeministri Edi Rama:  E merr vizën domethënë?

Luiz Ejlli: Po e marr. E kam marrë njëherë, tani do ma japin prapë besoj se do kem koncerte. Se nuk jam ‘’non grata’’.

Kryeministri Edi Rama:  Larg qoftë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top