Ajeti risia e vetme, Shqipëria luan si në… Pragë! Njihuni me formacionin e mundshëm të Kombëtares ndaj Çekisë

Armando Broja dhe Ardian Ismajli do të jenë dy mungesat për Silvinjon në ndeshjen e sotme ndaj Çekisë.

Sulmuesi nuk ia ka dalë dot, pasi ende ndien shqetësime në gju dhe për këtë, siç u konfirmua nga trajneri në konferencën për shtyp, nuk do të rrezikohet.

Ndërkohë vendin e Ismajlit, i cili ishte titullar në dy ndeshjet e fundit të ekipit përfaqësues, do ta marrë Arlind Ajeti. Mbrojtësi 30-vjeçar që luan me Klyzhin do të luajë nga minuta e parë pas një viti, ku takimi i fundit ishte me Izraelin në Ligën e Kombeve.

STËRVITJA E FUNDIT- Kombëtarja mbylli dje përgatitjet me seancën e fundit zyrtare, e cila u zhvillua në stadiumin “Air Albania”, aty ku sot në mbrëmje do të luhet ndeshja ndaj Çekisë, një takim shumë i rëndësishëm për kualifikimin në Europianin e Gjermanisë vitin e ardhshëm. Pas konferencës zyrtare për media, ekipi doli në fushë dhe u stërvit për rreth një orë.

Përveç Brojës, e gjithë skuadra u stërvit së bashku, teksa ekipit iu bashkua edhe mesfushori Klaus Gjasula. Stërvitja nuk ka pati shumë ngarkesa fizike, me stafin teknik që e fokusoi më shumë seancën në ushtrimet me topin dhe situata të ndryshme loje.

Ndërkohë edhe Keidi Bare ka lënë pas shqetësimet fizike dhe do të jetë i gatshëm për ndeshjen e sotme.

FORMACIONI- Sa u përket titullarëve që do të zbresin në fushë, Silvinjo do t’i besojë formacionit që mori një pikë në Pragë, me vetëm një ndryshim për shkak dëmtimi.

Duke u përshtatur edhe me karakteristikat e kundërshtarit, “Panorama Sport” mëson se trajneri ka projektuar Etrit Berishën që nga minuta e parë edhe pse me Poloninë e nisi Strakosha. Krahas Gjimshitit në mbrojtje do të vendoset Ajeti, ndërsa nga krahët Hysaj dhe Mitaj.

Në mesfushë nuk do të ketë ndryshime, teksa do të jenë treshja: Asllani e Ramadani dhe Bajrami para tyre, ndërkaq përpara do ta nisin nga minuta e parë: Asani nga e krahu i djathtë, Seferi në krahun e majtë dhe Cikalleshi në majën e sulmit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top