Sulmuesi Alvaro Morata thuhet se ka arritur marrëveshje me Romën, mirëpo edhe rivalët Inter, Juventus dhe AC Milan vazhdojnë të kenë interesim për spanjollin.
Morata mesa duket do të rikthehet në Serie A, pavarësisht që së fundmi nënshkroi kontratë rinovimi me Atletico Madridin.
Gjiganti madrilen i vazhdoi kontratën deri më 2026, mirëpo marrëveshja përfshin një klauzolë lirimi që shkon nga 12 milionë euro në 20 milionë euro.
Siç raporton “Gazzetta dell Sport”, Roma ka arritur marrëveshje me Moratan pasi i ofruan 4.5 milionë euro plus 500 mijë euro bonuse deri në vitin 2027, ofertë që është pranuar nga lojtari.
Mirëpo, kjo marrëveshje nuk mund të quhet një “transferim i kryer”, pasi edhe klubet e tjera italiane si Juventus, Inter dhe Milan janë duke konsideruar të bëjnë ofertat pasi e shohin si të pagueshme klauzolën e lirimit.
Drejtori Beppe Marotta ishte personi që e solli Moratan te Juve në vitin 2014 dhe vazhdon të jetë admirues i 30-vjeçarit, prandaj e dëshiron si zëvendësuesi i Romelu Lukakut.
Në anën tjetër, Juventus do ta konsiderojë këtë nënshkrim nëse Dusan Vlahovic kalon te PSG-ja. Lukaku mbetet prioritet i “Bianconerëve”, por nëse një marrëveshje e Vlahovicit te PSG-ja vonohet dhe belgu pranon ndonjë ofertë, atëherë Juve do ta provojë rikthimin e spanjollit sërish.
Kurse, sa i përket AC Milanit – klubi thjesht ka interesim për Moratan dhe ka pyetur rreth mundësisë së transferimit, por ende s’ka asgjë konkrete.