Sigurisht që duke parë Gjeorgjinë në Europian, por edhe atë fitore të thellë që bëri kundër Çekisë, prisnim të ishte një ndeshje shumë e vështirë. Të them të drejtën, ekipi më pëlqeu në pjesën e parë. Luajti një futboll të thjeshtë, që po e përmirëson lojën në këtë aspekt.
Lojtarët ishin të vëmendshëm dhe vazhdimisht në pozicionet e tyre në fushë dhe me kundërshtarin. Bënë një lojë pozitive për 45 minuta, por pa dhënë ato shkëndijat se po e kërkonim me ngulm fitoren.
Deri diku ramë në grackën e gjeorgjianëve, të cilët e zotëronin mirë topin, e qarkullonin atë dhe bënin kombinime për të gjetur hapësira dhe për të na goditur. Gjithsesi, pjesën e parë dua ta cilësoj pozitive për ne.
PROBLEMI NË SULM DHE HOXHA – Dy gjëra mendoj se e rënduan lojën tonë për t’u mos u shfaqur të plotë, sidomos në aspektin sulmues. Dihej që Rei Manaj do të kishte shenja lodhjeje, sepse harxhoi energji të jashtëzakonshme në ndeshjen me Ukrainën. Futja e Arbër Hoxhës ishte pozitive.
Ne jemi një Kombëtare që kemi nevojë për lojtarë si Hoxha dhe Asani, sepse fusin në punë fantazinë dhe lojën krijuese. Edhe në futbollin e sotëm, vlera e këtyre është me evidente se kurrë dhe ka një rendiment të jashtëzakonshëm.
Mbajtja e topit në mënyrë të dobishme shplodh shokët e skuadrës dhe në të njëjtën kohë fut në panik kundërshtarin. Qoftë Asani dhe Hoxha apo ndonjë tjetër që ende nuk po e shikojmë, kanë jo vetëm përgatitjen e mirë teknike, anën e tyre të plotë fizike, por dallohen edhe për krijimtarinë dhe fantazinë në lojë, duke bërë veprime që fusin në alarm të vazhdueshëm mbrojtjen kundërshtare.