Këshilltari i lartë i “RedBird” për klubin e Milan, Zlatan Ibrahimovic ka folur pas eliminimit nga Champions League. Pas barazimit 1-1 me Feynoord në “San Siro” dhe humbjes 1-0 në sfidën e parë, ka folur vetë Ibrahimovic.
Ky i fundit shprehet mjaft i zhgënjyer nga ky eliminim. Ibrahimovic thotë se pati mungesë pjekurie, por thekson se edhe arbitri i ndeshjes ishte i ashpër, referuar dy kartonëve të verdhë për Theo Hernandez, me këtë të fundit që la Milanin me 10 lojtarë.
“Jemi të zhgënjyer dhe të zemrëuar. Pati mungesë pjekurie, por arbitri ishte i ashpër. Një simulim në një ndeshje të tillë, të paktën të jepni një paralajmërim. Ky episod ndryshoi ndeshjen. Tani grupi duhet të qëndrojë i bashkuar, ta lërë këtë ndeshje pas dhe të mendojë për kampionatin. Do të vuajmë sonte, pastaj nga nesër do të përgatitemi për objektivin tjetër.
Mund të kishim bërë shumë më shumë. Pas ndeshjeve mund të thuash shumë, gjatë lojës mund të kishe bërë shumë gjëra. E nisëm mirë ndeshjen dhe pjesën e dytë, pastaj duhej të luanim me një lojtar më pak.
Rasti i Theos? Këto situata, kur ndodhin, nuk mund të thuash nëse kanë të drejtë apo gabim. Theo nuk është aktor, ai luan lojën e tij, por në fushë ndodh.
Nuk jemi të zemëruar me arbitrin, por veten tonë. Kundërshtari ishte më i fortë se ne, nuk ka justifikime apo ankesa. Duhet të shikojmë veten në pasqyrë dhe të themi se çfarë po bëjmë gabim, të përmirësohemi dhe të vazhdojmë. Të kuqtë janë situata që ndodhin në fushë.
Sot është zhgënjyese të largohesh nga Champions League. Para fillimit të kampionatit, është e qartë që dëshiron të fitosh. Ne fituam Superkupën dhe kaluam në Kupën e Italisë. Nuk shkon gjithmonë ashtu siç dëshironi, ne nuk ishim të kënaqur dhe bëmë lëvizje në janar me tregun e transferimeve për të ndryshuar situatën.
Dua të shoh një Milan dominues. Më kujtohet kur erdha 4/5 vjet më parë dhe nuk ishte Milani me të cilin ishin mësuar të gjithë, më pas u rrit.
Unë u pensionova, por nëse do të doja të vazhdoja, do vazhdoja të luaja për Milanin. Mund të them që skuadra e sotme ka shanse më të mira për të fituar, sesa skuadra që fitoi Scudetton për herë të fundit. Është dy herë më e fortë, për nga cilësia është më e mirë”, është shprehur Zlatan Ibrahimovic.