Silvinjo ka nisur nga puna për ndeshjet e ardhshme të Shqipërisë, atë me Moldavinë në 17 nëntor dhe me Ishujt Faroe më 20 nëntor. Por jo i gjithë grupi ka qenë në gatishmëri të trajnerit brazilian në stërvitjen e djeshme, e cila ishte edhe e para.
Kristjan Asllani ka punuar i diferencuar për shkak të një shqetësimi që mendohet të jetë thjesht mbingarkesë dhe nuk dihet ende nëse mesfushori i Interit do të jetë i gatshëm për sfidën e parë. Gjithsesi, lojtari ka zhvilluar stërvitje të diferencuar dhe pritet të shihet nëse do të bashkohet me ekipin sot.
Ndërkohë në seancën e djeshme, që në fillim me Kombëtaren A është stërvitur mesfushori i Shpresave Medon Berisha, por gjithsesi në rast se Asllani ka shqetësime deri në ndeshjen me Moldavinë, Silvinjo ka gati Keidi Baren, i cili pritet ta nisë nga fillimi në krah të Ylber Ramadanit.
NDRYSHIMI NË LISTË
Ka një ndryshim në listën e Kombëtares për dy ndeshjet e fundit të kualifikueseve. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se mbrojtësi Arlind Ajeti nuk do të jetë i gatshëm për këto dy sfida për shkak dëmtimi.
Futbollisti është dëmtuar gjatë ndeshjes së fundit në kampionatin rumun me Kluzh, por është paraqitur që mbrëmë në grumbullimin e Kombëtares, duke iu nënshtruar kontrolleve mjekësore.
Pas rezonancës magnetike është konkluduar se Ajeti ka një dëmtim në muskujt e pasmë të kofshës së majtë dhe ka nevojë për disa ditë pushim para se të nisë rikuperimin.
Në këto kushte, trajneri Silvinjo ka vendosur të thërrasë për këto dy ndeshje mbrojtësin Jon Mersinaj, i cili është bashkuar me skuadrën mbrëmjen e djeshme. Po ashtu në mbrëmje kanë mbërritur edhe Etrit Berisha, Mario Mitaj, Elhan Kastrati dhe Mirlind Daku.
STËRVITJA
Kuqezinjtë kanë punuar fillimisht në palestër, ndërsa më pas kanë dalë në fushën e lojës, aty ku kanë zhvilluar stërvitjen e parë zyrtare. Fillimisht takohen një nga një prej trajnerit Silvinjo dhe më pas nisin punën me topin.
Në këtë seancë të parë, nën drejtimin e stafit teknik janë stërvitur 8 lojtarë, nga 18 që kanë mbërritur. Pjesa tjetër e lojtarëve janë lënë pushim për shkak të impenjimit me klubet respektive në Europë.
Në bashkëpunim me ekipin kombëtar U-21, kuqezinjtë kanë zhvilluar një ndeshje brenda grupit. Kombëtarja do të qëndrojë në Tiranë deri të enjten në mëngjes për t’u nisur më pas drejt Moldavisë, ku pasdite do të zhvillojë edhe seancën e fundit stërvitore.
Ndeshja Moldavi–Shqipëri do të luhet në stadiumin ‘Zimbru’, Kishinau në Moldavi, duke nisur nga ora 18:00. Më pas, kuqezinjtë do të udhëtojnë drejt Tiranës, ku më 20 nëntor do të presin Ishujt Faroe, me ndeshjen që do të luhet në orën 20:45 në stadiumin ‘Air Albania’.