Disa javë më parë, trajneri i Barcelonës, Ksavi Hernandez, ia bëri të qartë sulmuesit Ansu Fati se gjëja më e mirë që mund të bënte ishte largimi nga klubi. Sulmuesi në atë kohë kundërshtoi trajnerin, teksa shprehu qartë dëshirën e tij për të vazhduar dhe për të fituar vendin e titullarit. Megjithatë, përgatitjet e verës dhe ndeshja e parë në La Liga kanë bërë Ansu Fatin të ndryshojë mendje dhe të kërkojë një rrugëdalje.
Sulmuesi spanjoll shpresonte të bindte Ksavin se mund të fitonte një vend në 11-shen titullare dhe të ishte një pjesë kyçe e ekipit, por tashmë atij i është bërë e qartë se kjo nuk do të ndodhë. Trajneri nuk ka besim tek ai dhe në fakt i ka kërkuar klubit ardhjen e përforcimeve të tjera në sulm, gjë që do të thoshte më shumë konkurrencë për Ansunë. Përballë këtij skenari negativ, Ansu i ka dhënë urdhër agjentëve të tij që t’i gjejnë një ekip të ri.
Një nga klubet me të cilët ai është shoqëruar në orët e fundit është Atletiko e Madridit, por sipas “AS”, klubi “rojiblanco” nuk ka shprehur interesimpër nënshkrimin e lojtarit të Barcelonës. Lajmi për largimin e Ansu Fatit ka qenë si një rrufe në qiell të hapur për klubin, me Barcelonën që ka reaguar nëpërmjet Dekos, i cili ka përsëritur se Fati gëzon besimin e trajnerit dhe të klubit dhe e ardhmja e tij është në Barcelonë.