Jude Bellingham ka kompletuar transferimin te Real Madridi javë më parë nga Borussia Dortmund.
Mesfushori anglez ishte prioritet i top klubeve evropiane, por në fund Real Madridi fitoi garën duke paguar 103 milionë euro te Borussia Dortmund për transferimin e tij.
20-vjeçari ka folur si futbollist i Realit, duke thënë se synon që të bëhet pjesë e historisë së klubit mbretëror spanjoll.
“Përmasat që ka një klub si Real Madrid janë të jashtëzakonshme. Por, ajo që më bindi vërtet për t’u transferuar ishte projekti sepse e di që jam në vendin e duhur”.
“Për mua është një shans që të jem pjesë e historisë, dua të fitoj shumë trofe sepse kjo është edhe arsyeja që klubi firmosi me mua. Dua që ta ndihmoj Realin të vijojë të jetë i madh”, tha Bellingham.
Sa i përket presionit si futbollist i klubit më të trofeshëm në botë, Bellingham thotë se nuk e ka problem pasi tanimë është mësuar me presionin që në moshën 15-vjeçare.
“Presioni më ka ndjekur kudo, e ndjeja atë që te Birmingham në moshën 15 apo 16-vjeçare. Deri tani kam treguar se e menaxhoj shumë mirë dhe nëse do të isha një tip që nuk e përballoja atë, me siguri që nuk do të isha duke veshur fanellën e Real Madrid”.
“Eksperienca ime ka qenë shumë e ndryshme nga lojtarët e tjerë anglezë. Kam luajtur në tre shtete të ndryshme në tre vitet e fundit, por kurrë në Ligën Premier. Jam shumë krenar për rrugëtimin tim”, tha mesfushori anglez.
Bellingham ka qenë pjesë e Dortmundit në tre vitet e fundit, me verdhezinjtë që paguan për të 30 milionë euro si 16 vjeçar.
Me fanellën verdhezi, Bellginham ka zhvilluar 132 ndeshje zyrtare duke shënuar 24 gola e duke asistuar në 25 të tjerë.