“Me aq sa unë di dhe me sa e njoh rrethin e ngushtë të Alegrit, Masimiliano kërkon që të largohet nga Juventusi në fund të sezonit. Nëse nuk e bën klubi, ai është i vendosur që të japë edhe dorëheqjen, ndonëse duke parë lidhjen e fortë më bardhezinjtë, do të donte një ndarje konsensuale për të qenë gjithçka më diplomatike”. Me këto fjalë, Ivan Zazaroni, drejtori i të përditshmes “Corriere dello Sport”, ka lëshuar bombën menjëherë pas ndeshjes që Juventusi barazoi me Interin në “Allianz Stadium”.
Trajneri i bardhezinjve duket i lodhur nga qëndrimi në Torino, jo se nuk ka dëshirë më për të punuar, por për një sërë rrethanash dhe ndoshta me të drejtë. Sipas burimit në fjalë, “Konti Maks” e ka vuajtur shumë largimin e presidencës së “vjetër”, duke qenë se ishin pikërisht presidenti Andrea Anjeli dhe dy ish-drejtorët e tjerë sportivë, Paratiçi e Kerubini, ata që e donin dhe e mbështesnin shumë Alegrin, por jo Nedved, që shpesh e kishte shprehur hapur pakënaqur ndaj livornezit. Në të shkuarën, duke marrë parasysh sidomos situatën e sezonit të kaluar, Andrea Anjeli, do të kishte qenë i pari që do të kishte vënë fytyrën në emër të klubit, ndërsa këtë herë ishte Alegri që e bëri rolin e fytyrës së klubit, duke qenë se presidenti aktual, Xhanluka Ferrero, nuk doli asnjëherë të komentojë apo akoma më keq, t’i dalë në mbrojtje të paktën skuadrës, domethënë stafit teknik dhe futbollistëve. Dhe Alegri është lodhur së bëri rrufepritësin, për çdo ngjarje apo skandal që ndodhë dhe ka lidhje me “zonjën e vjetër”.
Arsyeja e dytë është fare e freskët, duke qenë se vetëm në muajin e fundit, Antonio Konte ka dalë dy herë publikisht duke pranuar se është gati që të rikthehet te Juventusit dhe kur diçka përsëritet kaq shpesh, sipas Alegrit, diçka pas shpatullave të tij ka nisur të lëvizë, kështu që ai ndihet i tradhtuar. Dhe së treti, Maks është një tip me karakter, me shumë besim te vetja dhe ësh- “ të i lumtur nga puna që e ka bërë deri tani me skuadrën.
Fundja, ai përshtatet me çfarë të ketë në dispozicion dhe ashtu si kundër Interit, me shpikjet e tij, di që të marrë rezultate pozitive. Por edhe duke u arnuar gjithmonë, nuk shkon, përkundrazi trajnerë të tjerë te Juventusi në vend të tij, do të kishin kërkuar parajsën dhe shpenzimin e milionave. Dhe ndoshta ka ardhur koha që edhe trajnerit livornez të nisë t’i plotësohen dëshirat, qofshin këto edhe milionere, sepse në futbollin e sotëm, pa investime nuk mund të konkurrosh në rangje të larta. Dhe pikërisht të gjitha këto, sipas “Corriere dello Sport” dhe burimeve të saj, janë arsyet që do të çojnë Masimiliano Alegrin, pa kthim mbrapa këtë verë, te ndarja me Juventusin, qoftë ky i shoqëruar me titullin kampion ose jo…