Me kualifikimin ndaj Dinamo Batumi, Tirana ka në ‘xhep’ plot 550 mijë euro që vijnë nga bonuset e UEFA-s. Kjo shumë pritet të dyfishohet nga sfida e kthimit me Besiktasin më 3 gusht në Shqipëri.
Tirana ende nuk e ka shitur të drejtën e transmetimit të ndeshjes. Duke parë interesin mjaft të lartë nga televizionet turke, drejtuesit kanë vendour një shifër prej 300 mijë euro dhe janë pranë mbylljes së marrëveshjes me një televizion turk.
Kësaj shume do t’i shtohen edhe paratë e shitjeve të biletave ku raportohet se interesi është mjaft i lartë, jo vetëm nga tifozët shqiptarë, por edhe nga ata turq që jetojnë në Shqipëri të cilët duan të shohin nga afër një skuadër nga vendi i tyre.
Nuk mbaron me kaq por një tjetër burim të ardhurash janë edhe reklamat në stadium. Si në çdo ndeshje, biznese të ndryshme turke apo shqiptar do të reklamojnë veten e tyre në tabelat elektrike anësore të fushës.
Një përllogaritje totale, Tirana pritet të fitojë rreth 500 mijë euro vetëm nga ky 90 minutësh, pa përmendur këtu fare bonusin e UEFA-s. Nëse eliminohen këtë raund, bardheblutë pritet të akumulojnë në total mbi 1 milionë euro.