Çfarë po ndodh me Halandin? Kampioni i Sitit fiket ndaj skuadrave “big”

Çfarë ka ndodhur me Erling Halandin? Sulmuesi i aftë për gjithçka, ai që jetonte për golin, i ka lënë vendin një lojtari që kundër Realit u fik dhe u pa në fushë vetëm për atë traversën që goditi në minutën e 19-të.

Për pjesën tjetër, 23-vjeçari që vitin e shkuar kishte ndihmuar për të fituar tripletën, u bllokua nga mbrojtja e Ançelotit me Rydiger dhe Naço dhe u zëvendësua kur loja po bëhej më e vështirë, përpara nisjes së shtesës për shkak të një problemi fizik. Një paraqitje që i shtohet përveç eliminimit të dhimbshëm të Sitit, edhe vendosja e tij nën shënjestër: është sulmuesi më i mirë në botë apo është thjesht një finalizues i madh, i cili në ndeshjet e rëndësishme nuk shihet kurrë?

KRITIKAT – Gurin e kishte lëshuar Roi Kin, pas barazimit 0-0 mes Sitit dhe Arsenalit: “Luan si një lojtar i Ligës së Dytë”. Kritikat u hodhën poshtë nga Guardiola. “Haland është një prej sulmuesve më të mirë në botë”, tha në vigjilje të ndeshjes së kthimit Karlo Ançeloti, duke e konsideruar rrezikun numër 1 për Realin e tij. Por, ashtu si në ndeshjen e vajtjes, norvegjezi u fik, siç kishte ndodhur edhe në dy gjysmëfinalet e sezonit të shkuar kundër “galaktikëve” të cilën Siti e fitoi 4-0 në ndeshjen e kthimit, por Haland nuk shënoi.

NUMRAT – Statistikat thonë se Haland është gjithsesi golashënuesi më i mirë në Premier, me 20 gola në 26 ndeshje dhe largohet nga Champions me 6 gola në 8 paraqitje. Numra që do të ishin të shkëlqyer për këdo, por jo të mjaftueshme për një lojtar që vitin e shkuar, në sezonin e tij të parë në Angli, e vendosi shumë lartë stekën. “Erling shënoi për një kohë të gjatë 2-3 gola për ndeshje dhe tani njerëzit ankohen se shënon vetëm një”, tha kohë më parë Pep, duke iu përgjigjur kritikave. Por numrat thonë se diçka nuk funksionon si zakonisht në periudhën e fundit: në 9 ndeshjet e luajtura nga 10 marsi dhe më pas, përfshirë ato dy me Norvegjinë, Haland ka shënuar vetëm 2 gola, nga të cilët një me penallti. Dhe në 2014, me Sitin në 17 ndeshje ka shënuar 12 gola, nga të cilët 5 në çerekfinalen e Kupës FA në fund të shkurtit në shtëpinë e Lutonit.

KAMPION APO… – Po tani cila është e vërteta mbi të? Është një kampion që po luan nën nivelin e tij të zakonshëm apo një finalizues që në ndeshjet e mëdha nuk ndez? Është gjithnjë e vështirë të diskutosh një 23-vjeçar që ka thyer rekorde jonjerëzore deri këtu: ka shënuar 83 gola në 92 ndeshje me Sitin dhe që i ka ende vlerat për t’u konsideruar një prej sulmuesve më të mirë në botë, i cili vitin e shkuar mund ta kishte sjellë fare mirë në shtëpi “Topin e Artë”. Haland nuk është sigurisht një lojtar i Ligës së Dytë dhe të gjithë e dinë që ka talentin për të qenë sërish pika e referimit në futbollin botëror. Pavarësisht se një vit më parë shënoi 36 gola në Premier Ligë dhe aktualisht është ndalur në 20.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top