Daku kthehet me gol/ Sulmuesi kuqezi feston përfundimin e dënimit, realizoi në fitoren e ekipit të tij në Rusi

Për herë të fundit ia kishte dalë në 23 gusht.

Mirlind Daku ishte në formë të madhe në atë kohë për Rubinin, por pas golit kundër Dinamos së Mahaçkallës, u desh të priste jo pak, por plot 43 ditë.

E vështirë për një sulmues, ndonëse një pjesë të kohës ka qenë edhe I dëmtuar.

Më në fund, Daku përsëriti veten këtë fundjavë, në suksesin që ekipi I tij, Rubin nga Kazanji, arriti në shtëpi ndaj skuadrës çeçene, Ahmat të Groznit.

Sulmuesi kuqezi fiksoi rezultatin 2-0 në minutën e fundit të ndeshjes së kampionatit, dhe e festoi siç duhet rikthimin në kombëtare.

Futbollisti nga Kosova ishte I pezulluar kundër Spanjës në Europian dhe Ukrainës në Ligën e Kombeve, si dhe I dëmtuar ndaj Gjeorgjisë.

Daku pati një kthim, por pësoi edhe një ndalesë.

Ai nuk do të luajë në ndeshjen e radhës të Premier Ligës ruse, ndaj Dinamos së Moskës, për shkak të kartonit të katërt të verdhë, të marrë pasi pengoi portierin, siç duket në foto.

Gjithsesi, rëndësi ka që u kalua momenti I vështirë dhe trajneri Rashid Rahimov përgëzoi lojtarët e tij.

Tekniku tha se Daku me shokë treguan karakter, dhe se kritikat do të përballohen prej tij, ndërsa futbollistët do të jenë të qetë.

Sulmuesi I Shqipërisë ka 6 gola dhe 3 asistë në 11 ndeshje të kampionatit rus, dhe shpresohet që të mos ndalet më. /abcnews.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top