Vllaznia mori një fitore të madhe ditën e sotme duke mposhtur në transfertë Tiranën, në sfidën e vlefshme për javën e 11-të të Superiores. Klasikja e Shqipërisë përfundoi 3-4 në favor të shkodranëve.
Megjithatë në momentin që ndeshja që po zhvillohej në “Roza Haxhiu” të Lushnjës ishte 1-4 në favor të Vllaznisë, trajneri Thomas Brdaric vendosi që të aktivizonte dhe lojtarë të rinj.
Përveç Tafilit, Delajt dhe Pusit, radhën e kishte dhe Flori Spahija. Për këtë të fundit ky ishte debutim me ekipin e parë të Vllaznisë, por një start për t’u mbajtur mend në një sfidë si Klasikja e Shqipërisë.
Edhe pse kishte vetëm pak minuta në dispozicion për këtë ndeshje, Spahija duket se ka fituar besimin e trajnerit me atë çfarë ka dhënë në stërvitje. Mbrojtësi i majtë tashmë është një vlerë e shtuar e kuqebluve.
Por ai është një “armë” shtesë për Brdaric pasi mund të bëjë mjaft mirë edhe rolin e qendërmbrojtësit. Dhe në një moment jo shumë të mirë të qendrës së mbrojtjes shkodrane, 21-vjeçari mund të jetë një titullar potencial në të ardhmen.