Klaus Gjasula është një prej atyre lojtarëve që ka të gjithë mbështetjen e tifozëve të Kombëtares për vetë mënyrën sesi luan në fushë. Edhe në kohët më të këqija të Shqipërisë, ky mesfushor dallonte mbi të tjerët me mënyrën sesi paraqitej, me elegancën, lëvizjen me trup dhe pasimet që të kujtonin disi Busquets. “Koha Shtesë”, rubrika e re e Sport Ekspres, ka zhvilluar një intervistë me babain e futbollistit, Fatmir Gjasulën. Ai na tregon se kur e pyet djalin se cila është arsyeja që ndikon të paraqitet më mirë me Kombëtaren se me ekipin, përgjigja ishte jo pak emocionuese.
“Është më ndryshe kur luan në Kombëtare. Sa herë që luan Klausi me Shqipërinë, pas çdo ndeshje e pres kur jam në stadium ose e telefonoj dhe i them: “Më dukesh më mirë kur luan me Kombëtaren, luan më mirë, je më i shkathët me topin”. Më thotë: “Babi, nuk e imagjinon dot se çfarë emocionesh janë, ekipi nuk është asgjë, këtu të dridhet mishi të bëhet kokrra-kokrra, të jep Zoti fuqi.
Kur luante në Paderborn, Klaus ka pasur trajner këtë që sot është te Kelni. Ai ikte nga dhomat e zhveshjes në pjesën e parë dhe i thoshte: “Klaus, foli ti lojtarëve”. Kur ishin në Bundesligë, duhet ta themi. Klausi fillon t’i bërtiste dhe t’i motivonte shokët e ekipit. Mbaj mend një ndeshje me Leverkusen, ishin 3-0 për Leverkusen dhe shkoi 3-2. I thashë Klausit: “Çfarë i the mo vlla?”. Më tregoi: “Ata marrin marrin të gjithë nga 10-20 milionë, ne jemi të gjithë copë copë, hajde se nuk kemi për të humbur, do t’i biem”. Ka pasur raste që i ka folur edhe në gjuhën shqipe.
Nëse bën gol Klausi kundër Çekisë? Nuk e di çfarë të them, do ta bëj Gjermani-Shqipëri në këmbë(qesh) Për mua ne do të fitojmë 2-1”, përfundoi babai i Klausit.