Ndoshta edhe vetë Alegri tani do të nisë të besojë se është një person që lexon të ardhmen. Sepse nëse përpara Sasuolos paralajmëroi se euforia mund t’i shkaktonte dëme skuadrës së tij, përpara Torinos nuk qau asnjëherë për mungesat e mëdha, por ishte i bindur se Juventusi i tij do të bënte një ndeshje me kokën mbi shpatulla dhe se ishte i qetë mbi arritjen e një rezultati maksimal.
“Kundër Torinos bëmë një ndeshje prej njerëzish të pjekur, siç unë e kisha menduar dhe ndierë nga ajo çfarë kishim bërë në stërvitje. Që nga momenti që prekëm topin e parë e kuptova se kishim egërsinë e duhur, ndonëse në 20 minutat e para nuk ishte e lehtë. Gjithsesi, unë jam i lumtur për atë që bëmë, duke parë edhe problemet tona me mungesat, pasi kjo do të thotë se po nisim të kuptojmë se çfarë duhet të bëjmë në fushë.
Gati gol? Jam i lumtur për të, pas autogolit me Sasuolon, pasi e mori veten shumë shpejt dhe kjo do të thotë se ka shumë cilësi. Siç e kam thënë qetësia duhet të mbizotërojë te ne, sepse kur jemi të qetë arsyetojmë edhe më mirë në fushën e lojës.
4 pikë nga Milani, nuk ndryshon objektivi? Jo, detyrimi ynë është ta mbyllim mes katër të parave. Për ne të fituarit me vazhdimësi nuk është bërë ende një normalitet, por nëse e arrijmë këtë shpejt, nuk është se i ndaloj askujt prej lojtarëve të mi për të ëndërruar edhe diçka më lart sesa vendi i katërt.
E rëndësishme është të qëndrojmë me këmbë në tokë, sepse pas pauzës na pret një ndeshje me Milanin, e cila do të jetë një çmenduri, duke parë edhe se si ka evoluar renditja në këto 2-3 javë të fundit. Deri tani ka qenë një kampionat i çmendur dhe ashtu besoj se do të jetë deri në fund”, tha Alegri.