Dinamo luan nesër në kuadër të Superiores me Egnatian në stadiumin që mban emrin e klubit “Arena Egnatia” dhe starton në drekë në orën 14:00. Kjo është një sfidë që pritet me ngulm pasi të dyja ekipet janë të forta, por edhe në pankinë kanë emra shumë të spikatur si Edlir Tetova dhe Ilir Daja.
Trajneri i dinamovitëve ka folur në ambientet e klubit Dinamo City rreth takimit të javës së 10-të që hap siparin e Superiores ditën e premte. Trajneri i “Bluve” ka theksuar se ekipi gëzon stabilitet dhe ka përmendur 2 mungesa të rendësishme si Hoxha dhe Muzek që destabilizojnë mbrojtjen e Dinamos. Daja ka lavdëruar dhe punën e kolegut Tetova që shpalli kampione Egnatian për herë të parë në historikun e saj.
“Kemi pasur stabilitet në rezultate 7 javët e fundit. Egnatia është kampione e dyfishtë e sezonit të kaluar dhe një pjesë e të mirë të ekipit e ka edhe këtë vit. Mendoj se është favorite për “Final 4”, ka cilësi dhe lojë të konsoliduar. Ka meritë trajneri Tetova dhe stafi i tij. Duhet të kemi ritëm të lartë, pasi ata kanë lojtarë që u përshtaten kundërsulmeve të shpejta. Shkojmë të përballemi frontalisht me Egnatian, duke kërkuar maksimumin, edhe pse është shumë e vështirë.Statistikat janë bërë për t’u ndryshuar, kështu që me gjithë respektin që kemi, nuk shkojmë të dorëzuar në Rrogozhinë. Do luftojmë të ruajmë ecurinë pozitive.Derbi ishte pozitiv, sepse ishte hera e parë që nuk merrnim gol. Në atë ndeshje kishim dhe mungesa, por ata që luajtën bënë mirë. Në pjesën e parë të derbit ishim të konsoliduar në të dyja fazat e lojës dhe kjo është shumë pozitive. I mëshova faktit, sepse ishte pjesa më e mirë që kemi bërë.Nuk na duhet vetëm ngritja e nivelit fizik. Duhet të administrojmë më shumë topin, që potencial fizik që kemi ta menaxhojmë në një shtrirje më të madhe se 60 minuta.Fusha e mirë e Rrogozhinës është pozitive për të dy ekipet, terreni i mirë favorizon lojën e bukur dhe spektaklin. Duhet ta shfrytëzojmë, sepse kemi lojtarë teknikë. Por duhet të kemi ritëm që të përballojmë Egnatian”, u shpreh z.Ilir Daja.
Egnatia-Dinamo është një nga kryesfidat e fundjavës, e klasifikuar bashkë me duelin klasik në Shkodër mes Vllaznisë dhe Partizanit. Këto sfida transmetohen në RTSH dhe nuk duhen humbur pasi premtojnë ndryshime në renditje.