E drejta TV në Itali, 5 miliardë për 5 vite / De Laurentis: Seria A do të vdesë!

Edhe për 5 vite të tjera, kampionati i Serisë A do të vazhdojë që të transmetohet nga “DAZN” dhe “Sky”, por ndryshe nga herët e kaluara, dje aprovimi ka ardhur me një mazhorancë të theksuar: 17 vota pro, 2 kundër (Salernitana dhe Kaljari) dhe me një abstenim, Napoli dhe De Laurentis, i cili la sallën në momentin e votimit, për të shpërthyer më pas në konferencë për shtyp.

Ndonëse ajo është edhe më e vogël sesa sezonin e kaluar, 900 milionë eurot në vit, por me rritje progresive të vogël për 5 vitet e ardhshme do t’u sjellë 20 klubeve italianë një potencial prej 750 milionë eurosh, të cilat do të ndahen në varësi të kritereve të audiencës, por edhe pozicionimit në renditje.

Gjithsesi, kjo ofertë nuk i ka pëlqyer aspak presidentit të kampionëve në fuqi, Aurelio de Laurentis, i cili ka qenë kundër dy kompanive që kanë fituar të drejtën e transmetimit, por mbi të gjitha edhe për vlerën për të cilën është rënë dakord.

“Kjo kontratë është vdekja e Serisë A. Nuk e di, por në një moment ku filmi dhe futbolli janë dy bizneset që po ecin më fort, është idiote që t’i japësh këtyre kompanive një kontratë për më shumë 5-vjeçare, në të tilla shifra është qesharake. Vlera e futbollit rritet duke bërë investime, por as ‘Sky’ dhe as ‘DAZN’ nuk bëjnë”.

Dhe ndoshta këtë herë me të drejtë De Laurentis ka shfryrë, duke menduar se Seria A është një kampionat elitar dhe teksa Premier Liga vjet u shit për diçka më shumë se 3 miliardë euro, diferenca mes dy kampionateve nuk mund të jetë kaq e madhe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back To Top