Në botën e futbollit identifikohet nga të gjithë si Champions Girl, moderatorja sportive, Eva Murati, është imazhi shqiptar i kompeticionit më të rëndësishëm për klube, Champion League, teksa për 6 edicione radhazi drejton me profesionalizëm emisionin e kampionëve.
Eva, spikat jo vetëm me thjeshtësinë dhe zotësinë e saj, por gjithashtu edhe me sharmin e emocionin që transmeton.
Bukuroshja 28-vjeçare, është e pranishme në Stamboll për të “bekuar” finalen e madhe të Champions-it mes Interit dhe Mançester Sitit, teksa në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, zgjodhi të ndante disa momente speciale në prag të finales.
-Një tjetër sezoni të suksesshëm po i vjen fundi si prezantuese e emisionit të Champions League në Shqipëri. A ka një moment disi me special për Evën gjatë këtij edicioni që mund ta veçoni?
Çdo sezon Champions-i është i veçantë në llojin e tij pasi vetë dinamikat janë të ndryshme. Dalja në gjysmëfinale e dy skuadrave italianeve ishte një moment shumë i bukur, kush mund ta bënte një parashikim të tillë në fillim të sezonit!
Championsi e ka këtë veçanti sepse është i paparashikueshëm! Të le gjithë kohën me zemër në dorë! Ky sezon është gjithashtu i veçantë sepse zhvillohet në Stamboll. Pas 3 vitesh që e nis sezonin televiziv fjalinë “Road to Istanbul”, finalja më në fund do të zhvillohet këtu në qytetin e dy kontinenteve dhe nuk ka më peripeci që ta zhvendosë në një tjetër vend (qesh).
Po ta shohim nga aspekti historik ishte viti 2005 hera e fundit që zhvillohej një finale në Stamboll, e cila konsiderohet si finalja me emocionuse e të gjitha kohrave, kur pamë të triumfonte Liverpul përball Milanit. Kështu që shpresoj që dhe këtë vit ky qytet misktik të arrijë përsëri t’i japë nga magjia e vet duelit të mbrëmjes së sotme.
-Eva, është ky kulmi i karrierës për sa i përket pozicionit si moderatore sportive, apo prisni të arrini diçka më tepër? Cila është maja për Eva Muratin?
Tashmë viti i 6 në drejtimin e kompeticionit më elitar të futbollit europian. Jam e lumtur që më është besuar drejtimi i tij, dhe për vetë faktin që kam qenë e para vajze në Shqipëri që i është besuar kjo patente kaq e rëndësishme.